Cyme dhe Sabina, ju njohim me dy yjet e futbollit shqiptar!

Nga Desina Myrtollari

Futbolli, një nga sportet që sapo i përmend emrin në mendje të vijnë meshkujt tifozë e futbollistë. Por tashmë pjesë e këtij sporti pasionant janë bërë dhe femrat.

Në shekullin e 20 në botë dhe 13 vjet më parë në Shqipëri, gjinia femër u fut në futboll, madje duke krijuar ekipe.
Ekipi i parë i femrave në Shqipëri u krijua në vitin 2005. Ishte infermieri Ferdinand Jaku, i cili krijoi dhe organizoi ndeshjen e parë të futbollit të femrave në Juban të Shkodrës.

Falë tij sot në Shqipëri ka dy kombëtare të femrave: “Përfaqësuese dhe U19”, dhe gjithsej 11 ekipe si: Vllaznia, Kinostudio, KF Skënderbeu etj.

Femrat gjithmonë kanë thyer tabu në botë, sepse i karakterizon guximi dhe dëshira e madhe, jo vetëm të jenë spektatore e tifoze, por të zbresin në fushë dhe të tregojnë talentin e tyre.

Ka ardhur një kohë, ku nuk mund të kemi më diskriminime, apo të themi që femrat nuk duhet të luajnë futboll, pasi nuk është sport për to. Sporti është art, është pasion, mbi të gjitha profesion dhe nuk ka dallime femër apo mashkull.

Nëse shikoni një ndeshje futbolli mes femrave do të vëreni se femrat dita-ditës po bëhen më të mira. Femrat dinë të luajnë futboll, madje në mënyrë të shkëlqyer.

Këtë e vërtetojnë edhe dy futbolliste shumë të talentuara të cilat shprehen për Dritare.net se futbolli ka nisur shumë herët për to dhe se gjithmonë ka qenë një ëndërr, e cila është realizuar.

Cyme Lulaj është një vajzë kosovare, e cila ka disa vite që jeton në Tiranë. Ajo është 28 vjeç dhe që moshën 7-vjeçare ka luajtur futboll. Sportistja e talentuar shprehet për dritare.net se ka luajtur si fillim me xhaxhin e saj, pasi ka qenë futbollist dhe që prej tij ka marrë talentin.

Më vonë ajo ka luajtur në Kosovë me ekipet e meshkujve, pasi në atë kohë nuk kishte futboll femrash. Tashmë jeton në Tiranë dhe ka mbaruar shkencat e lëvizjes në Institutin e Sportit në Tiranë. Ajo është mësuese fiskulture në shkollën “Aleks Buda” dhe trajnere e fëmijëve femra dhe meshkuj. Gjithashtu një futbolliste e talentuar, ku luan në ekipin e Kinostudios dhe në kombëtaren e madhe të femrave. Me pak fjalë një vajzë idhull.

LEXO DHE :  Ja ku të shkosh për drekë, këtë të enjte!

Nëse ju hidhni një sy fotove dhe videove do të vëreni se këto vajza me të vërtet kanë shumë talent.

Sabina Kasa, është një tjetër futbolliste shumë e mirë, e cila shprehet për dritare.net se luante futboll që e vogël me meshkuj. Ajo thotë se: “Të gjithë çuditeshin teksa luaja futboll me meshkujt, kisha talent dhe ju bënte shumë përshtypje.”

Ajo është 19 vjeç dhe ka 5 vjet që luan futboll me femrat, në fillim luante në ekipin e Elbasanit, por për shkak të shkrirjes së ekipit, ajo u zhvendos në ekipin e Skënderbeut për femra, dhe tani është me Kinostudion. Për shkak të sfidave dhe vështirësive që ajo ka hasur gjatë jetës së saj, kurrë nuk është dorëzuar dhe kurrë nuk e ka lënë futbollin. Nëse diçka e do shumë, nuk ka gjë që të pengon.

Gjatë intervistës me to, më bëri përshtypje vullneti, gjallëria dhe forca që ato kanë. Jemi mbytur duke parë dhe folur për modele dhe këngëtare. E bukur nuk është vetëm pamja dhe trupi, por forca, dëshira për të qenë e barabartë dhe shpirti i pastër, i një sportisteje.

Për to futbolli është pasion, pjesë e jetës së tyre, një ëndërr e cila tashme është realizuar. Futbollistet do të vazhdojnë të luajnë futboll deri në momentin që nuk do të jenë më të afta.

Në Shqipëri dita-ditës futbolli po masivizohet dhe po tregon se ka shumë femra të talentuara të cilat i venë qëllim vetes.

Futbollistet shqiptare stërviten çdo ditë dhe besojnë se një ditë futbolli i femrave nuk do të këtë dallim me atë të meshkujve.

Nëse ende nuk keni ndjekur ndonjë ndeshje futbolli mes femrave, ju sugjerojmë të shpejtoni pak se do të mbeteni me gojë hapur./Dritare.net

 



Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*