Prej shumë dekadash në Shqipëri është festuar dita e 9 Majit, si dita e fitores mbi nazi-fashizmin. Por çfarë thonë faktet historike :
Akti i fundit i Adolf Hitlerit, para vetëvrasjes së tij, më 30 prill 1945 ishte emerimi i papritur, si pasues në postin e kancelarit të Rajhut të admiralit, Karl Dënic (Dönitz).
Momenti dorëzimit të detyrës. Foto prill 1945
Emërimi i tij, duke shmangur hierarkët nazistë u bë nga Hitleri, pasi ai e konsideronte admiralin që komandonte nëndetëset (të famshmet U-Boot), si i vetmi që nuk e kishte zhgënjyer në frontin e luftës.
Dënic (Dönitz), menjëherë sapo mori detyrën filloi bisedimet për kapitullimin, duke tentuar fillimisht kontaktet me anglo-amerikanët, të cilët refuzuan dorëzimin e njëanshëm. Në mëngjesin e 7 majit 1945 feldmarshalli, Alfred Jodëll( Jodl ) firmos në Reims, pranë Shtabit të Përgjithshëm të Aleateve, Aktin e Kapitullimit. Firmosja nuk njihet nga sovjetikët dhe kështu më datë 08 maj rifirmoset, këtë herë nga feldmarshalli, Vilhelm Kajtel (Wielhelm Keitel) në praninë e gjeneralit sovjetik, Zhukov.
Procedura burokratike zgjat disa orë dhe në orën 23.01 të datës 08.05.1945 njoftohet Moska. Ndërkohë për shkak të ndryshimit me 2 orë me atë të Berlinit, data është 09 maj 1945.
Dokumentet historike të datës 7 dhe 8 maj 1945
Foto nga momenti i nënshkrimit të gjeneralit Kajtel para Zhukovit
Vendet e Evropës Perëndimore kanë festuar datën 8 maj, si fitoren mbi nazizmin, duke përdorur termin anglosakson “Dita e Fitores në Evrope” (Victory in Europe Day) , ndërsa një pjesë e vendeve të lindjes, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, si ish-koloni të Bashkimit Sovjetik, e patën festuar më datë 09 maj.
Pas viteve ’90, pothuajse të gjithë vendet e bllokut lindor e ndryshuan këtë datë, nga 9 në 8 maj, megjithëse në disa shtete, fasha orare është e tillë që i takon data 9 maj. E fundit ishte Ukraina që e ndërroi në vitin 2015.
Ndarja zonale e orëve në Evropë.
Kohët e fundit në Shqipëri po përdoret gjithnjë e më shumë 9 Maji, si dita e fitores mbi nazizmin dhe dita e Evropës, që në fakt nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Më datë 9 maj 1950, ministri Jashtëm i Francës, Robert Shuman (Schuman) paraqet projektin e tij për krijimin e një Institucioni Evropian Mbikombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor, i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Më vonë kjo datë u festua në Evropë , si dita e krijimit të idesë së Bashkimit Ekonomik Evropian./Dritare.net