Çfarë më ndodhi në ndeshjen me Uellsin, nuk rri dot pa e treguar
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani Nuk thonë kot që futbolli bashkon njerëzit. Tani e kuptoj, pse meshkujt çmenden pas kësaj loje. Dje shkova për të parë ndeshjen miqësore, Shqipëri-Uells në “Elbasan Arena”. Koha na e prishi pak qejfin dhe u nisëm me pishmanlliqe, deri në momentin që arritëm në Elbasan. Për çudi, shiu pushoi para se të fillonte ndeshja. Rrugëve shikoja tifozë të Uellsit duke qeshur me lot. Përshëndesnin çdo shqiptar që u dilte para. Ua bënin me dorë, u ofronin birra… Më pëlqeu atmosfera, më shumë se herët e tjera. Futem në stadium e më habiti pjesëmarrja e tyre në numër. Komplet pjesa e majtë ishte e mbushur me tifozë qytetarë të Uellsit. Rrugës shokët e mi më tregonin që në ndeshje do të jetë dhe një lojtar i Real Madridit, Gareth Bale. E kisha parë si fytyrë, por nuk i njihja aftësitë e tij. Thoshin se, blerja e tij ka qenë edhe më shtrenjtë se e Ronaldos, diku te 110 milion euro. Imagjino çfarë superbiznesi është futbolli. Pjesën e himnit, nuk e kapa dot, pasi po pija një gotë verë në pjesën e tribunës. Duhet thënë se, nëse ke biletë VIP, të japin edhe për të ngrënë. Kur kthehem në stadium pa dashje desh kalova pranë rreshtit të të ftuarve, ku ulej Armando Duka me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe miqtë nga Uellsi. “Nuk kalohet këtu, duhet t’i biesh nga poshtë!”,-thotë roja. Me dashamirësi ia bëj me dorë Armando Dukës, a thua se e njihja prej kohësh. Në pushimin e gjatë, më ndodhi një histori super e lezetshme. Tifozët e Uellsit janë të thekur për futboll, madje pranë kisha dikë që e ndiqte ndeshjen me dylbi. Një moment shikoj njërin prej tyre që po mblidhte broshurat që ndodheshin në karriget e tribunës. E ndihmova dhe s’më rrihej pa e pyetur, se pse i donte e qysh tek. Fjalia e parë që më tha ishte: “E duam shumë Shqipërinë! Është një shtet fantastik. Kam qenë këtu për herë të parë në 1995-n, në ndeshjen e atëhershme Shqipëri-Uells ku dolëm barazim. Për koincidencë edhe atëherë ishte nëntor dhe binte shi si sot. Vetëm se stadiumi ndodhej në Tiranë. Pse u zhvillua ndeshja në Elbasan dhe jo te “Qemal Stafa?”,- më pyet ai. I tregova se stadiumi në Tiranë po rikonstruktohej dhe mund të hapet vitin tjetër. “Jeni njerëz shumë të mirë ju shqiptarët. Dikush në një lokal na tha se, nëse fiton Shqipëria ndeshjen e sotme, do t’ju japim birra falas gjithë natën. Kështu që sot unë uroj të fitoni ju.”.- ngriva e çuditur. Doja t’i thosha që ne jemi njerëz shumë të mirë si komb, por vetëm me të huajt, se njëri-tjetrin e hamë me dhëmbë. Gjithsesi m’u bë qejfi jashtë mase për përshtypjen e tij. “Oh prit, unë kam disa foto në telefon të ndeshjes në vitin 1995”,-më thotë ai. Aty sa s’më ra pika. “Aman më trego më shumë.”- i thashë. Më tregoi çdo foto dhe e luta t’m'i dërgonte, pasi doja që të gjithë të vinin re ndryshimin. Dikur me baltë dhe kushte skandaloze, sot luajmë futboll si gjithë bota me standarde evropiane. Shkrepëm një foto të dy duke bërë simbolin e shqiponjës dhe u ndamë, pasi filloi pjesa e dytë. Në pjesën e dytë u fut në lojë i famshmi Gareth Bale. Shumë çuna shqiptarë u afruan ta shikonin tek bënte nxehjen. E pashë pak në Instagram dhe e kuptova sa lojtar i fuqishëm ishte. Loja shënonte 0-0 dhe po vdisnim për një gol. Në heshtje ndiqja topin. Kur bëhej ndonjë gabim stresohesha e ngrihesha në këmbë duke bërtitur. Se çfarë ndodhi një moment me Xhakën dhe arbitri dënoi me penallti skuadrën kundërshtare. Kur faaapppp shënon Bekim Balaj gol. Hera e parë që ndiqja një emocion të tillë live. Ah more çuna, prandaj rrini nëpër loto të gjithë! Shkurt fare, fituam kundër një prej lojtarëve më të mirë në botë, i cili mendoj që nuk dha maksimumin pasi s’mund të konsumohet për ndeshje miqësore. Kur mbaroi ndeshja, shumë roje e rrethuan Gareth Bale sepse nuk donin t’i afrohej njeri. Pas ndeshjes e takoj përsëri mikun tim nga Uellsi. Ai mezi po priste të pinte birrat. Kur dal jashtë, takoj përsëri tifozë si ai. Shumë të qeshur pavarësisht humbjes. “Futbolli është thjesht një lojë. Pastaj ju shqiptarët jeni shumë të shoqërueshëm e të gatshëm për të na ndihmuar, si mund të mërzitemi se humbëm kundra jush?”,- tha një tjetër tifoz i vjetër në moshë, por me shkop në dorë. Sot në mëngjes miku im më dërgoi fotot e ndeshjes së vitit 1995-s. Mesazhi i tij ishte: “ You should know this! And be very proud of your peoples as so many friendships have been made this week
- Could you please send me the picture you took tonight! Programme from November 1995 - We are going to Berat tomorrow and hope to come back to Albania to see more of the stunning scenery!!!” Ndër të tjera më dërgoi dhe foto të Norman Wisdom, aktor anglez shumë i dashur për shqiptarët, i cili erdhi në Shqipëri për ndeshjen e 1995. Nga fotot e stadiumit “Qemal Stafa” atëherë mund ta kuptosh ndryshimin kollaj. Janë disa gjëra që s’i vëmë re, se kemi instinktin të jemi negativë. Ecim e nuk shohim ku ishim e ku jemi. Nëse dikush nga Federata Shqiptare e Futbollit më lexon kam vetëm një kërkesë: Ju lutem më ftoni kur të hapet stadiumi ri. Ndërsa shqiptarët i ftoj të bëhen më sportdashës ndaj skuadrave të tyre, se për Realin e Barçën këputeni fare./dritare.net