Çfarë e pret Donald Lu!

Nga Dritan Hila

Një ndër gjërat zbavitëse të Shqipërisë është mendësia prej province që kanë banorët e saj për të interpretuar politikën botërore. E përshkruan Edit Durham në një darkë në Mirditë , kur fshatarët poturegrisur pasi mbaruan bukën, diskutonin punët e inglizit; apo Ivo Andriç me serbët e Bosnjes ku pranë kazanit të rakisë, diskutonin politikën e lartë të Stambollit.
100 vite më pas asgjë nuk ka ndryshuar. As interneti as shpejtësia e informacionit , nuk kanë ndihmuar. Nuk e di si ja bëjnë fshatarët e Travnikut, por këtu intelektualët dhe politikanët e Tiranës të njëjtin tru kanë. Ashtu siç kanë shkarkuar mbretër e rrëzuar perandori, mendojnë se largojnë edhe ambasadorët e SHBA. Ashtu siç bejnë pazaret dhe gjobat e veta mendojnë se i bën edhe perëndimi.
Gjithsesi, ikja e Donald Lu, ndryshe nga sa interpretrohet është një hop në karrierën e tij. Vajtja në Kirgistan, një vend ku po përplasen interesat e këtij shekulli; në një vend kyç mes Kinës dhe Rusisë, është një kërcim i madh i tij.
Shekulli që vjen është shekulli i Azisë. E tha këtë një dekadë më parë në Mynyh ish zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden. Vendi ku shkon Lu është një ish domen sovjetik dhe Rusia e ringjallur e Putinit është rikthyer në rajonin e Azisë Qëndrore. Kazakistan, Turkmenistan, Taxhikistan dhe Kirgistan janë rajone kyç, ku po luhet shahu i madh. Ambasadori që shkon aty, është një person me përvojë i cili do të përballojë shtrirjen ruse e cila që nga viti 2005 po njeh rikthim, dhe mundësisht ta sprapsë atë.
SHBA kanë një histori me bazën e Manas në Kirgistan, bazë e cila iu krijonte lehtësira për luftën në Afganistan, sidomos pas vështirësive që hasnin në korridorin pakistan. Dëshira amerikane, ruse dhe kineze për prezencë në hapësirën kirkize ka shkaktuar disa herë trazira të shoqëruara me revolucione dhe përmbysje presidentësh.
Vajtja e Donald Lu aty është një vlerësim nga ana e Departamentit të Shtetit i cili çon në rajon një njeri ekspert. Pa asnjë mëdyshje përvoja shqiptare e ka ndihmuar në këtë promovim të tijin. Metodat që ai përdori për implementimin e reformës në drejtësi, ku herë luajti me doreza të bardha dhe herë me boksi; fakti që si ne ashtu dhe Kirgistani kemi mentalitet oriental në sjellje dhe politikebërje, çka do ta ndihmojë të përshtatet me klimën e Bishekut, janë faktorë që e kanë ndihmuar në promovimin e tij.
Gjithsesi nuk mund të lihet pa falenderuar që nxori zbuluar, sesi fatin tonë kur shkonim në dyert e gjykatave shpesh e kanë pasur idiotë që pasurinë e fituar nëpërmjet gjobave që vendosnin nga karrikja e shtetit, e justifikonin me lekët e hedhura në dasëm apo para të falura nga motra./dritare.net

LEXO DHE :  Rama takim me oficerët e policisë: Kriminaliteti në ulje, opozita le të shpifi, ne kemi shifrat

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.