Ca rreshta për Çilin, Bashën dhe nëpunësin e tyre

Nga Dritan Hila

Nuk do të kisha marrë mundimin t’i ktheja përgjigje një nëpunësi të Henri Çilit, i quajtur Besart Kadia, por kur mësova që zotëria në fjalë ishte edhe funksionar i PD-së dhe ishte marrë gjatë me një statust timin në ‘fb’, e ndiej për detyrim ndaj lexuesve të mi të djathtë.

Do të ndalem shkurt në çdo argument për faktin se ky zhanër shkrimi është monoton.

Gjithë tirada e Kadisë për frymën libertine që mbartka Instituti Pashko, emrat e mëdhenj botërorë që paska qasur në veprimtarinë e tij , janë tipike tullumbace që i përdorin ata që nuk duan të thonë asgjë. Ky vend është shumë i vogël, shumë i prapambetur, shumë klientelist për të qenë objekt i aplikimit të teorive të ekonomistëve të mëdhenj. Ndaj që këtu duket që Instituti i Çilit rreh ujë në havanë. Përmendja e Keynes si komunist, besoj se nuk është injorancë e Besartit , por tentativë t’i bëjë qejfin Çilit , të kalërojë populizmin që sjell kjo fjalë.

Dikush duhet t’u thotë se ishte ky mendimtar i ekonomisë që bëri Evropën sociale të pas luftës së dytë botërore që ne ëndërrojmë.

Sa për teorite e çunave te Çikagos, këta i ka qejf Çili dhe nëpunësit e tij , pasi japin mundësi të plaçkisin pronën publike. Sa për shembull meqënëse donte të tregonte thellësinë e mendimit të institutit, duhet të kenë parasysh se aplikimi i teorive të tyre në Kilin e Pinoçetit nuk është recetë që mund të zbatohet në vitin 2000 në një vend në mes të Evropës i cili nuk e njeh fare sipërmarrjen e lirë madje nuk ka as traditë, pasi ajo që ishte para vendosjes së komunizmit ishte më shumë korporativizëm dhe klientelizëm , sesa japitalizëm modern. Por nuk po vazhdoj më shumë të sqaroj njerëz që nuk dallojnë publiken nga publikimi.

Zotëria më përmend si pjesë të qeverisë. Është një mungesë klasike ndershmërie intelektuale. Nëpunësi i Çilit e di shumë mirë që kam qenë vetëm 15 muaj pjesë e kësaj qeverie në fillimet e saj , kur Çili i terrorizuar përpiqej t’i gjente anën Ramës i cili në fushatë e tallte për emrin.

Kam qenë kritik i ashpër pas dorëheqjes, pikërisht se merrte mendtë e Çilit në politikat ekonomike dhe pastaj i përfshirë më drejtpërdrejt në ligjin për arsimin që ka prodhuar krizën që përjetojmë dhe me organizmin e administratës që ka bllokuar qeverisjen. Ka qenë koha kur shefi i Besartit, pavarësisht alergjisë që ngjallte tek shikuesit, argumentonte pse Rama duhet të fitonte edhe një herë, ndërsa unë kam shkuar në çadrën ku ishte ngujuar opozita për të treguar se ky vend nuk mund të bëjë pa opozitën, cilado qoftë ajo. Dhe e kam bërë si shembull emancipimi, pa asnjë premtim, pa asnjë interes, në ndryshim nga Besarti dhe shokët e tij të cilët varën turinjtë pse Basha nuk i bëri deputetë.

Lidhur me praninë e Bashës në sallën e institutit Pashko, kjo ishte një gafë, pasi nëpunësi i PD Kadia nuk duhet t’i këshillonte praninë në një forum ku shefi i PD së pari nuk kupton dhe këtë e ka dëshmuar si kur bën shumëzime publikisht, ashtu edhe kur ngatërron sipërmarrës; së dyti programi i PD është thellësisht social dhe nuk ka lidhje me teoritë që përhap instituti i Çilit; sepse është në një fushatë kundër ndërprerjes së ndihmës ekonomike nga qeveria, çka është tipike e majtë; sepse është në vorbullën e akuzave për lidhje me rusët dhe nuk ka as takat dhe as nge t’i bëjë suportin Çilit i cili mendon të ndërrojë karrocë; dhe mbi të gjitha sepse prania e Bashës në ambjentet e Çilit nuk është aspak në të mirë të koherencës së tij politike pasi e ka përmendur më shumë se një herë në diskurset e tij të çadrës. Kështu që Kadia duhet të ndajë mendjen se kujt shefi duhet ti japë prioritet.

Sa për Pashkon që frymëzoka Çilin dhe Besartin, nuk dua të zgjatem , pasi unë kam qenë student i ekonomikut kur degjoja kritikat e tij për kapitalizmin. Besarti i njeh vetëm fotografinë, ndërsa Çili nuk e di çfarë lidhje ka sepse nuk  i bashkonte profesioni.

Dhe së fundi lidhur me bombën, mos u tremb Besart se amerikanët e çmojnë paranë dhe nuk e çojnë dëm ta hedhin tek sallat e UET. Shqetësim i im është se mendtë e tua dhe të Çilit mund t’i marrë edhe shefi i opozitës dhe nëse ndonjëherë vjen në fuqi, do na marrë në qafë. Ajo do të jetë bombë dhe çfarë bombe./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.