Burri im po e tepron me pijen

Pyetje Sofit: Im shoq po e tepron me pijen.  Ai përherë ka pirë dhe unë e kam shoqëruar kur kemi dalë dhe ia kemi kaluar mirë. Por tani po fillon të kthehet në një problem.  Kur ulem të flas me të, ai e mohon të ketë varësi ndaj alkoolit.  Ai shndërrohet në një njeri tjetër kur pi. Sillet dhe flet ndryshe, thotë gjëra, të cilat është e vështirë t’i harrosh. Ndihem keq dhe e reflektoj dhe në sjelljen me  fëmijët.  Mendoj se ka krijuar varësi, sepse e ka të nevojshme të pijë dhe kur është në shtëpi.  E kuptoj që ka nevojë të qetësojë veten nga problemet e punës, por ne kemi 2 fëmijë të vegjël  dhe gjendja e tij po ndikon dhe tek ata. Jemi përpjekur të flasim, ta minimizojë pijen vetëm në rastet kur del, por nuk po funksionon. Unë e dua bashkëshortin tim dhe nuk dua të prish familjen time, por nuk di më ç’të bëj. Po ndihem e dëshpëruar.

Sofi përgjigjet: Fakti që ti po më shkruan tregon se alkooli është kthyer në një problem në familjen tuaj, edhe pse bashkëshorti yt nuk e pranon. Është e dukshme se ai ka kaluar nga një pijedashës, në të dy ju që shijoni pijen, dhe në fund ka krijuar një varësi nga pija në mënyrë që të qetësohet. Të pish alkool për t’u qetësuar, në vend se të bësh një ecje, palestër apo të kalosh kohë me miq, është me rrezik sepse sasia e alkoolit që i duhet trupit për t’u qetësuar rritet dhe mund të të çojë në varësi. Kjo do të ndikonte në mirëqenien mendore dhe fizike të tij. Nëse e do atë edhe pse të lëndon, kjo është normale.  Por nuk duhet të ndihesh ti fajtore.

Unë mendoj se gratë kanë një ndikim të madh në ndikimin e alkoolit te burrat e tyre. Prandaj përdore këtë ndikim në një mënyrë të zgjuar. Nëse ti i thua mos pi, ose e pyet pse duhet të pijë kaq shumë ose ankohesh, kjo nuk do ta ndalojë atë të mos pijë.  Përkundrazi, do të pijë më shumë. Kur  ti i thua të ndalojë një sjellje të caktuar, ai do të vazhdojë ta bëjë derisa të ndihet i pranuar prej teje. Si fillim pranoje pijen e tij. Më pas tregoi herë pas here, si rastësisht, si  po ndikon pija te ty, te fëmijët dhe se sa do të donit të kthehej gjithçka si më parë.  Tregoja me fakte konkrete, stresin që ti përjeton dhe ndikimin në sjelljen me fëmijët. Thuaja me një ton të ulët zëri dhe ji e hapur ndaj çdo sugjerimi  të tij. Më pas binde veten tënde se ai ka filluar të pijë më pak, po sillet më mirë dhe thuaja dhe atij që po i vë re këto ndryshime. Fokusohu te sjelljet e mira që ai ka dhe vërja në dukje. Kur ti pret më të mirën nga dikush dhe u tregon se ke besim te ta, me fjalë dhe vepra, ata synojnë të plotësojnë pritshmërië e tua. Ti ndoshta po mendon se ç’lidhje kanë këto me alkoolin dhe se a e kam kuptuar rastin tënd?!

Mundem vetëm të të them se ekspertja e jetës tënde je vetë ti, prandaj duhet të vendosësh vetë se ç’bën më mirë për  ty! Ti ndoshta ende s’ke kuptuar ndikimin e madh që ke te bashkëshorti yt. Të këshilloj ta provosh këtë strategji, sepse nuk ke çfarë humb. Nëse asgjë nuk ndryshon, atëherë kërko ndihmë profesionale. Të uroj fat!/dritare.net

Ke një problem? Ke një sekret? Ke një pyetje? Më dërgo mesazh privat në Instagram @dritare_net ose në Facebook dritare.net. Për rubrikën Rrëfehu te Sofi. Do kesh përgjigje në faqe, brenda javës. 

 

LEXO DHE :  Senati i Politeknikut: Mbështesim kërkesat e studentëve

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.