Bularati/ Sandër Lleshi u ndalon hyrjen në Shqipëri, 52 grekëve

Përmes një deklarate për mediet, zëvendësministri i Brendshëm, Sandër Lleshi ka thënë se pas ngjarjes së Bularatit, 52 grekëve u është ndaluar hyrja në Shqipëri. Varrimi i Kostandin Kacifës, një ditë më parë u shënua me tensione, pasi grekët bllokuan autostradën Gjirokastër –Kakavijë dhe për pasojë u shoqëruan në komisariat dhjetëra persona. Pas kësaj, zëvendësministri i Brendshëm tha se, pas shfaqjeve ekstremiste në Bularat, 52 persona u shpallën ‘non grata’ në Shqipëri dhe nuk u lejohet hyrja në vendin tonë.

“Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi, ka vendosur: Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi. Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj. Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi.”,- tha Lleshi./K.C/dritare.net

LEXO DHE :  Kampusi i ri/ Rama: Ja çfarë bëri vëllai i Presidentit!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.