Bojkoti i proceseve gjyqësore fut në kolaps një sistem të tërë, duke paralizuar shtetin vetë
Dritare.net
Vendimi i marrë unanimisht nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, për bojkotimin e çdo procesi gjyqësor përgjatë tre ditëve nga ana e avokatëve, urojmë të jetë një zile zgjimi për të gjithë ata që kanë detyrim mbrojtjen e integritetit tonë fizik e jo vetëm, duke gjykuar me përgjegjësi institucionale se bojkotimi i proceseve gjyqësore nga ana jonë, paralizon e fut në kolaps një sistem të tërë, duke paralizuar shtetin vetë.
Dhjetra kallëzime për kanosje janë depozituar ndër vite nga avokatë pranë organit të akuzës, të cilat evidentojnë secila prej tyre dhunën fizike dhe psikologjike ushtruar kundra këtyre të fundit përgjatë ushtrimit të detyrës.
Kish kërkuar ndihmë dhe kolegu ynë i cili barbarisht e në formën më të shëmtuar u largua pa dëshirë nga kjo botë duke u ndjerë i rrezikuar për jetën, por askush nuk i kish vënë veshin shqetësimit të tij, siç rëndom ndodh në çdo rast me secilin prej nesh.
Kjo këmbanë alarmi bie prej kohësh këtu, duke u përplasur rast pas rasti në veshë të shurdhët.
Në kundërshtim me ligjin, akuza pa i shqyrtuar asnjë orë të vetme këto kallëzime, vendos mosfillimin e këtyre procedimeve, duke mos i konsideruar vepra të rënda secilën prej tyre për t'u ndjekur sipas ligjit.
Përballë indiferencës e mungesës së përgjegjësisë të institucioneve ligjzbatuese lidhur me parandalimin e këtyre rasteve të rënda, krimi s'ka sesi mos të vijojë udhën e tij, me bekimin dhe të politikës njëkohësisht.
Një indiferencë e pafalshme në këtë aspekt nga aktorët e një sistemi e jo vetëm, përkundrejt krimeve kryer kundra profesionistëve në ushtrim të detyrës posaçërisht, ditë pas dite./Dritare.net