Blushi propozon një tezë të re: "Parlament me 100 deputetë"
Dritare.net
Kreu i LIBRA-s shprehet se, Parlamenti i ri duhet të jetë me 100 deputetë, 40 më pak se ai aktual. Kjo sias tij do të jetë një ‘pritë’ për njerëzit vulgarë që do të hyjnë në parlamentin e ri nga listat e partive të vjetra. Propozimi i Blushit është i guximshëm nisur nga fakti se ai sapo ka formuar një parti të re dhe në një farë mënyrë kjo ide e penalizon forcën e tij politike.
Postimi i plotë:
PARLAMENT ME 100 DEPUTETË
Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve aq më pak shpresë kam se Parlamenti i ardhshëm do jetë më i pranueshëm se ky që kemi. Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaçeve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në Parlament duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive të vjetra.
Dikush me shaka më ka thënë se të gjithë deputetët bashkë kanë më shumë makina se libra. Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për të penguar ujqit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e Parlamentit.
Një Parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një Parlament me 100 deputetë. A jeni dakord? Nëse po më shkruani. Por edhe ju që s’jeni dakord, prapë më shkruani.