Biznesmeni Fatmir Kajolli arrestohet për herë të dytë për krimet në Itali
Dritare.net
I shpëtoi ekstradimit në Itali, por jo vuatjes së dënimit, me burg, për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Fatmir Kajolli, i njohur si biznesmen në qytetin e Fierit, është arrestuar mesditën e së martës, për shkak të veprimtarisë kriminale të ushtruar përtej Adriatikut pesëmbëdhjetë vite më parë.
Gjykata e Rrethit të Fierit vendosi, caktimin e masës së sigurisë, “arrest në burg”, pasi drejtësia Italiane ka kërkuar njohjen e vendimit të gjykatave të Romës, e Milanos, të cilat e kanë gjetur fajtor për veprat penale të “Krijimit të oraganizatave kriminale” dhe “trafikimin e lëndëve narkotike”.
Shtetasi Fatmir Kajolli është dënuar nga Gjykata e Milanos, në Itali, në vitin 2001, me 24 vite burg për veprat penale të “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike”. Po ashtu, ndaj tij, Gjykata e Romës, po në Itali, në vitin 2000, ka vendosur dënimin me 16 vite burg për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe shkeljet të ligjit për narkotikët”.
Në bazë të vendimeve gjyqësore italiane, Kajolli ka kryer veprimtarinë, për të cilën ka marrë dy dënime të ndryshme, gjatë periudhës 2000-2001.
Për llogari të drejtësisë italianë biznesmeni fierak u arrestua në vitin 2011. Por gjykata e Shkallës së Parë të Fierit refuzoi kërkesën për ekstradim, duke argumentuar se vendimi i gjykatës së Romës nuk jepte garanci se Kajolli nuk do të vuante edhe dënimin në Milano, me të shkuar në Itali.
Një javë më vonë, gjykata e apelit të Vlorës iu përmbajt vendimit të gjykatës së shkallës më të ulët, duke shtuar se krimi i kryer nga Kajolli “nuk dëmtonte interesat e Shqipërisë apo qytetarëve shqiptarë”, dukë mos lejuar moslejuar ekstradimin e tij drejt Italisë.
“Duke qenë së kërkesa për ekstradimin në Itali të shtetasit Fatmir Kajolli u rrëzua nga gjykata shqiptare, nga pala italiane u kërkuar, njohja e vendimeve të masës së dënimit të dhënë nga Gjykatat Italiane. Kjo kërkesë është paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas prokuroria i kërkoi gjykatës së Fierit njohjen e vendimi penal, kërkesë kjo që do i nënshtrohet procedurave gjyqësore. Duke qenë se vepra dhe dënimi për të cilën ky shtetas akuzohet janë të rënda, prokuroria vlerësoi se gjyqi për njohje vendimi të zhvillohej me masë sigurimi “arrest me burg”- saktësoi zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Albi Serjani.
Trafikanti që u shndërrua biznesmen
Fatmir Kajolli nuk është një emër i njohur vetëm për drejtësinë shqiptare apo dhe atë italiane. Ai njihet si një ndër biznesmenët e qytetit të Fierit por dhe i angazhuar në politikë.
Për katër vite ai ishte anëtarë i Këshillit Bashkiak të qytetit, pasi në u zgjodh në procesin elektoral të vitit 2011 nën siglën e Partisë Republikane.
Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2015, së bashku me dy djemtë e tij, u përfshi në një konflikt gjatë procesit zgjedhor.
E ndërsa, për vite me radhë i kishte shpëtuar drejtësisë, në tetor të vitit 2015, në bazë të ligjit “Antimafia”, Gjykata për Krime të vendosi sekuestron e pasurive të paluajtshme, si edhe të shoqëritë private të regjistruara në emrin e tij dhe bashkëshortes, Majlinda Çuko.
Sipas kërkesës së prokurorisë, këto pasuri janë krijuar në bazë të aktivitetit kriminal në Itali, ndaj gjykata vendosi masën e sekuestros preventive për 2.1 milionë metra katrorë tokë pyll, tokë arë dhe tokë truall në zonën turistike në Fier, përfshirë edhe 1700 metra katrorë ndërtesë, si edhe për 3 shoqëri private.
“Në përfundim të veprimeve procedurale, në kuadër të hetimit pasuror, ku u përfshinë rreth 20 persona, vetë subjekti kryesor dhe të afërm të tij, Prokuroria për Krime të Rënda ka identifikuar pasuri, për të cilat ka dyshime të arsyeshme se janë krijuar nga të ardhura të aktivitetit kriminal të shtetasit Kajolli. Këto pasuri dyshohet se janë krijuar në bazë të veprime fiktive shit-blerje ose dhurimi. Nga hetimi, kanë rezultuar dyshime të arsyeshme se personat që kanë në pronësi këto pasuri, nuk kanë pasur mundësi reale financiare për t’i krijuar ato. Pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme janë regjistruar në emër të shtetases Majlinda Çuko (Kajolli)” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga hetimet ka rezultuar se, pasurinë e dyshuar si të krijuar nga veprimtaria kriminale në Itali, Kajolli ia ka shitur bashkëshortes me vlera qesharake, apo me kontrata të dyshimta dhurimi .
Gjykata ka vendosur sekuestro preventive edhe për shoqëritë tregtare, të cilat kryenin dhe punë publike në qytetin e Fierit si fushën e pastrimit, riciklimit të mbetjeve urbane dhe trasportit urban.
Fatmir Kajolli, pasi i shpëtoi drejtësisë për vite me radhë, tashmë do të duhet të përballet sërish me gjykatën, e cila tashmë i duhet të vendosë për njëjësimin e vendimit me masën e sigurisë arrest me burg për veprat penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe posedim të lëndëve narkotike”./reporter.al