Zgjedhjet primare që do të përcaktojnë kandidatët e dy partive kryesore për Presidencën e Shteteve të Bashkuara nisëm me një farë boshllëku e ngadalësie që buronte nga mungesa e karizmës dhe stilit të të bërit fushatë të Barack Obama-s. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe, falë përballjes dhëmbë për dhëmbë mes Sanders e Clinton në kampin demokrat, fushata ka arritur një ritëm të jashtëzakonshëm që për nga idetë që po debatohen dhe risitë që po sjell nuk ka të krahasuar me asnjë fushatë të mëparshme.
Përtej faktit që Donald Trump dhe butaforizmi që ai përfaqëson gjithnjë e më shumë po fiton siguri si kandidati republikan për president, nuk ka dyshim për askënd se surpriza e vërtetë e këtyre zgjedhjeve në ShBA është Bernie Sanders. Kur 74 vjeçari, që ulet në Senatin Amerikan që prej vitit 1990, shpalli kandidaturën e tij pak kush ishte në gjendje të vërente një garë mes tij dhe Hilary Clinton. Mosha e tij e madhe, fakti që idetë e tij të njohura ´radikale´ e ´socialiste´ nuk parapëlqehen, e madje pothuajse urrehen, nga elektorati amerikan i bëri shumë analistë te mos e merrnin seriozisht kandidaturën e tij. Por, ndërsa fushata po arrin pikën kulminante, Sanders po ravijëzohet bindshëm si kandidati që po gjeneron më shumë entuziazëm e mbështetës dhe po e bën këtë pikërisht duke promovuar ide që për shumë kohë kanë qenë tabu për politikën dhe ekonominë amerikane. Janë dy momente ku ia vlen të ndalemi. Së pari, platforma e tij e majtë. Bernie Sanders është ndoshta kandidati i parë për president i pas Luftës II Botërore që ka një platformë të përbërë nga politika për arsimin, shëndetësinë, taksimin e rishpërndarjen që janë qartazi të majta. Ndonëse mund të duket si çudi për disa, të gjithë ata që e njohin politikën amerikane e dijnë që partitë politike aty nuk konkurrojnë në binomin majtas-djathtas, me të cilin ne në Europë jemi aq shumë familjarë. Në Amerikë nuk ka dhe nuk ka patur kurrë një alternativë të majtë. Të dyja partitë kryesore aty kandidojnë brenda alternativës së djathtë. Mjafton t´i hedhim një sy treguesve sociale të Amerikës për të vërtetuar mungesën e majtizmit në politikën amerikane. Nga të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore Amerika është i vetmi vend që nuk është një shtet i mirëqenies sociale. Në Amerikë gratë nuk përfitojnë leje lindjeje dhe nuk ka pensione shtetërore. Nuk ka as sigurim publik ndaj papunësisë dhe sëmundjes.
Hendeku në të ardhura mes të varfërve dhe të pasurve është nga më të thellët mes vendeve të zhvilluara dhe aksesi në shëndetësi e arsim për të varfërit është thuajse i pamundur. Shkurt, mungesa e një alternative të majtë në qeverisje e ka kthyer Amerikën në një nga vendet me më pak rishpërndarje e me kapitalizmin më të egër. Shoqëria amerikane ka qenë po kaq e mbyllur ndaj ideve të majta sa edhe ekonomia e këtij vendi. E mbërthyer nga reminishencat e Luftës së Ftohtë, Amerika ka qenë një tokë djerrë për lulëzimin e ideve të majta. Me slogane të tilla si ´më mirë i vdekur, sesa i kuq` në Amerikë janë bërë gjyqe publike e janë burgosur për tradhëti shumë mbështetës të ideve të majta dhe kjo pikërisht në dy dekadat e para pas Luftës II Botërore kur Europa Perëndimore udhëhiqej nga parimet e majta. Fakti që Sanders po siguron kaq shumë mbështetje në një shoqëri të shënjuar nga frika ndaj të majtës siç është ajo amerikane tregon për një kthesë thelbësore në politikë-bërjen ekonomike. Lëvizja e politikë-bërjes amerikane në binomin majtas-djathtas dhe formëzimi i një alternative të majtë mu në zemrën e kapitalizmit modern, në Amerikë, tregon se Perëndimi është tashmë gati që të debatojë seriozisht mbi pasojat e kapitalizmit të shfrenuar dhe të fillojë të kërkojë për mënyra për t ´i kufizuar efektet e tij përmes një shteti më prezent në ekonomi.
Është pikërisht tek kritika ndaj kapitalizmit dhe hapja e debatit për një rol të ri e më të fuqishëm të shtetit në ekonomi që buron pasioni dhe entuziazmi i mbështetësve të Sanders, të cilët janë ndjerë të papërfaqësuar nga politika e deritanishme amerikane. Ky është momenti i dytë ku duhet ndaluar. Pjesëmarrja në këto zgjdhje primare në Amerikë është jashtëzakonisht e lartë. Por, ndërsa mbështetja për Clinton buron nga elektorati statik demokrat, pjesa dërrmuese e mbështetjes për Sanders e ka burimin tek ata që po aktivizohen rishtazi në këtë parti dhe që deri më sot nuk janë ndjerë të përfaqësuar në debatin politik. Pra, Sanders nuk po i merr vota Clinton-it nga elektorati i përhershëm demokrat, por po ia del që të tërheqë në rradhët e tij e në rradhët e demokratëve shumë qytetarë që përfshihen për herë të parë, qytetarë që kërkojnë një ndryshim rrënjësor në ekonominë politike amerikane e që besojnë se politika është mjeti kryesor për ta arritur këtë. Kjo është merita kryesore e Sanders.
Në një kohë kur interesi për politikën është bjerrur dhe votuesi mesatar rëndom cilësohet si indiferent dhe i painteresuar nga teoritë politikë, ai po ia del ta rizgjojë tek elektorati mëndësinë dhe besimin se politika është instrumenti më i rëndësishëm për të sjellë ndryshimin. Kjo është arsyeja pse mitingjet e Sanders kanë një pjesëmarrje disa herë më të lartë se ato të Clinton, sepse në to nuk rreshtohen mbështetës të zakonshëm, por entuziastë të ndryshimit që besojnë të jashtëzakonshmen. Unë nuk besoj se Bernie Sanders do t´i fitojë zgjedhjet brenda demokratëve për t´u bërë zyrtarisht kandidat për president. Ndoshta është më mirë kështu. E rëndësishme është që ai arriti të thyje dy tabu në shoqërinë amerikane që me shpresë do kenë ndikim në mbarë Perëdimin. Së pari, ekspozoi dështimet e kapitalizmit të shfrenuar dhe nevojën për një alternativë të majtë – një debat që kurrë nuk ka qenë kaq masiv në shoqërinë amerikane. Dhe, së dyti, rizgjoi pasionin politik si instrumentin më themelor të ndryshimit. Slogani i tij elektoral është „Ndjeni Bernin“ (Feel the Bern) e mund të themi me plot gojën se Bernie ia doli të ndihet.