Sali Berisha është në pozicionin më të sikletshëm që ka pasur ndonjëherë gjatë 27 viteve në këtë fushatë elektorale. I paragjykuar nga ideja se ai është lideri real i Partisë Demokratike dhe Lulzim Basha një kukull e tij, ai po përpiqet të bëjë sikur nuk e ka mendjen se çfarë ndodh rrotull tij.
E para, ai po bën sikur nuk e di çfarë ka ndodhur me listat. Mbështetësit e tij fanatikë nga gjithë Shqipëria, po i shkruajnë përditë për atë që ka ndodhur dhe ai thjesht po u kthen përgjigje, dhe bën kujdes t’i publikojë të redaktuara, “se kjo është lista e Lulzim Bashës që na garanton fitoren…”. Thjesht distancohet prej listës dhe tregon objektivin të cilën ajo duhet të arrijë, që Basha të mos ndëshkohet. Pra, të jetë lista e fitores.
E dyta, bën sikur nuk e shikon fushatën e Lulzim Bashës. Fushata e Lulzim Bashës është një fushatë thellësisht e ndryshme nga fushata e PD, është një axhendë e re e tij, që po tenton të shndërrojë PD-në, në një parti të tij. Ai ka hequr logon, dizajnin, ngjyrën, faqen në internet dhe gjithë ekipin e vjetër drejtues të PD-së. Pra, po çmonton PD-në, në një përpjekje tejet sfiduese për ta kthyer nga parti populiste, në një parti elektorale të vetën.
Sali Berisha po bën sikur nuk e ka mendjen. Lulzim Basha flet për “Republikë të re”, Berisha për mafien e drogës së Edi Ramës, për prishje të marrëveshjes mes PD e PS, dhe gjëra të tjera, që janë larg fushatës dhe lëvizjeve politike të Bashës. E vërteta ështe se Basha është në një fushatë thellësisht të ndryshme nga ajo që po bën Berisha. Berisha po i përmbahet “qytetarit digital”, ndërsa Basha po e injoron këtë infrastrukturë të “Republikës së vjetër”.
Së treti, është qëndrimi i PD ndaj LSI. Sali Berisha po ruan një farë koherence në raport me LSI, ndërsa Basha po e sulmon. Së paku tre ditët e fundit, Basha e ka fokusuar goditjen tek LSI, duke e parë atë si rrezik për t’i marrë elektoratin e lëkundur të PD-së, pas goditjes që ai u bëri listave, duke hequr ekipin e vjetër drejtues të PD-së.
Berisha nuk ngjan i shqetësuar për këtë. Ai po bën sikur nuk e ka mendjen dhe po vazhdon të godasë vetëm Edi Ramën, dhe atë me gjuhën e vjetër.
Së katërti, Berisha po bën sikur nuk i dëgjon ish- bashkëpunëtorët e vet. Jozefina Topalli ka bërë një paraqitje autentike tek emisioni i Ylli Rakipit përballë Lubonjës dhe Bushatit, duke dëshmuar se nuk ka më ambicie politike në PD, por do të luftojë deri në fund kundër asaj që po i bën Lulzim Basha, Partisë Demokratike. Është një betejë e fortë, e paprecedentë, e cila nuk është se nuk po jep rezultate. Mitingu i Shkodrës ishte një sinjal, që Berisha nuk mund ta injoronte.
Por ai po hesht. Hesht duke i dhënë në heshtje të drejtë Jozefinës dhe duke bërë sikur bën një betejë tjetër nga ajo e Bashës. Në fakt, me këtë gjest ai ka çliruar gjithë ish- bashkëpunëtorët e tij të ngushtë nga detyrimi për të heshtur përballë Bashës.
Ndërsa kur përplasja Topalli- Basha u bë në grup parlamentar, me tone shumë më të ulta nga kaq, Berisha ndërhyri duke qenë qartazi me Bashën, tani që Topalli ka nxjerrë artilerinë e rëndë dhe po kërkon shkarkimin e tij, ai bën sikur nuk e ka mendjen.
Së pesti, Berisha po bën sikur nuk e ka mendjen as tek dështimi i pjesmarrjes nëpër mitingje. Fanatik i shesheve të mbushura dhe stërzmadhues i numrit të tyre, Sali Berisha e ka konceptin e sheshit adrenalinën kryesore të tij si politikan populist. Për herë të parë në 27 vjet, ai po shikon se si pasardhësi i tij, vazhdon i qetë shesh më shesh, me nga dyqindë vetë, pa u shqetësuar. Berisha, që është gati t’i dhjetëfishojë, nuk flet se përsëri janë pak dhe nëse i fut një të shumëzuar me dhjetë.
Ndjehet në ajër se Berisha dhe Basha janë në drejtime të kithta me njëri- tjetrin në këtë fushatë dhe nuk po takohen askund. As tek fushata, as tek objektivi i goditjes, as tek dizajni i fushatës, as tek aleancat fluide dhe as tek armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të PD. Berisha thjesht po përpiqet të bëjë sikur nuk e ka mendjen se çfarë po ndodh, që të bëjë papritur sikur e kuptoi më 26 qershor. Por deri atëhere, nuk i dihet për kë është më vonë. Për Berishën, apo për Bashën!/TemA