Berisha i shkruan Erjon Braçes pas statusit të tij në fb
Dritare.net
Për hir të lehtësisë në komunikim, më lejo të drejtohem me emrin Erion. Besoj se e pranon, meqënëse edhe ti më thërret Sali, megjithëse këtë e bën në shenjë përbuzjeje.
Arsyeja që po ta shkruaj është se mosha bën të vetën, dhe mua po më zbutet zemra, ndaj kam vendosur që të shtrij dorën e mirëkuptimit pasi e di që nuk e pranon atë të pajtimit.
Kështu qoftë. Le të mbetemi kundërshtarë, por jo armiq.
Përveç arsyeve sentimentale, është edhe respekti që kam ndaj jush si kundërshtar. E shoqëruar kjo me vërejtjen e vogël se përdorimi i një gjuhe agresive ju ul vlerat që nuk ju mungojnë. Ja u them këtë si specialist i vjetër i sherrit, zanat i cili përveçse një farë madhësie trupore, kërkon ton bariton, origjinë dhe histori, të cilat ju nuk i keni. Ndaj, meqënëse nuk i ke këto asete, sado ta rëndosh gjuhën, nuk bëhesh i frikshëm, përkundrazi. Ndaj të them që ndiq stilin kur ishe në opozitë që ju referoheshe gjithmonë letrave dhe më vije realisht, shpesh në siklet.
Morra shkas për të komunikuar nga statusi i fundit që kishit bërë ndaj meje në fejsbuk. Kishe cikur disa çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare të së shkuarës.
I dashur Erion, dëgjoje këshillën time dhe mos u merr më me këtë fushë ku është fushë edhe ministri i jashtëm që keni. Kur Rama të tha që je Ambasador i Divjakës e kishte me të tallur, ose shumë shumë të kërkoje ndonjë bojatisje shkolle apo të shisje bostanin e zonës. Por jo të hyje në arra që nuk i njeh as vetë Rama.
Aty më akuzoje se i kam shitur naftë Milosheviçit gjatë luftës në ish Jugosllavi. Herë tjetër përpara se të flasësh, duhet të pyesësh edhe Tom Doshin dhe Bashkim Finon, të cilit meqënëse ra fjala i uroj shërim të shpejtë. Njeri e priste në Kakavijë dhe tjetri e përcillte në Mal të Zi. Për fat i ke shokë partie dhe besoj ta hapin zemrën.
Më akuzove për shitjen e detit. Kjo është pak e komplikuar. Pyete një çikë Ditmirin se ku janë negociatorët e paktit. Pyete, pyete. Se nëse duhej dënuar njeri, të parët janë ata që e negociuan dhe jo unë që nuk marr vesh nga hartat, apo jo? Janë aty ku i lashë unë kur ika i dashur Erion. Ndaj mos merr flakë kot.
Për Himarën do të sqaroj kur të qetësohen pak ujërat.
Do të zgjatesha edhe më shumë për çështje si 21 janari ku ata që donin t’iu varnin tek palmat e kryeministrisë i ke në koalicion, por po e lë se vajti ora e vonë.
Nga gjithë kjo letër, konkluzioni miku im i ri është se kur je i zhytur në llum, nuk e shan dot tjetrin pse i vjen era.
Të uroj fundjavë të këndshme.
Do të uroja që në zgjedhjet që vijnë Rama të caktojë në listë, por po e lë për një rradhë tjetër. Besoj do ta shpërblejë gjithë këtë pathos. Nëse jo, mos u mërzit.
Gjithsesi do kemi rast të bisedojmë prapë.
Miqësisht,
Sali Berisha