E mora letrën tënde dhe e lexova me vëmëndje.
Së pari duhet të them që bëre shumë gabim që më shkruajte letër. Ndoshta je mësue me të tjerët ti zotri, ti shkruash, ti marrësh në telefon, por me mue ke bërë shumë gabim. Po po.
Së dyti, ato profkat se paske dashur me kandidue si rektor, tregoja ndonjë tjetri. Ke shkelur në dërrasë të kalbur që ke pranue të përdoresh, dhe ke dashur të trembësh kandidatin e të djathtës. Tani unë thash në publik që nuk e njoh atë burrin, por e njoh dhe e njoh mirë. Dhe ti ke shkue dhe kërcënue njeriun tim. Ke bërë gabim që ke shkue dhe kërcënue pa pyet. E për kë? Për Mjaftin! Po unë ca si ata të Mjaftit, sikur të ha nga dhjetë çdo mëngjes, nuk më ngopin mor djalë. Ndërsa ti po ju del për zot?!
Së treti më shkruaje që do t’i nxjerrësh bashkëpunëtorëve të mi nderet nga hundët. Unë nuk e di me kë ke folur dhe kush të ka thënë se është bashkëpunëtori im. Po ka qenë ndonjeri që ka dashur të shesë mend dhe është prezantuar si bashkëpunëtori im, e ke lejen me pashë t’ia nxish jetën. Ti mor zotëri duhet të marrësh vesh se unë vij nga një shkollën tjetër. Nga ajo shkolla që kam bërë unë, ca si puna jote nuk futeshin tek gardhi. Jo më të kisha nevojë të bëja pakte me ca si puna jote. Ata si puna jote ose duhet ta merrnin me mend se çfarë më duhej mua dhe ta bënin pa marrë asnjë faleminderit, ose përfundonin në burg. Madje e kam pasur zakon që ca që e quanin veten “të fortë”, pasi vidhnin votat për hesap tim, i fusja në burg se kështu më bëheshin më të vlefshëm. Këta që më zëvendësuen shkuan e ja u rritën pazarin dhe i bënë deputetë. Nuk është faji im që nuk ju ngjajnë fare baballarëve të tyre, ish shokëve të mi. Ne, po, që e dinim si i donte mushka drutë.
Së katërti, të bëj thirrje të ndrosh rrugë. Kështu si e ke zënë, do të dalë gjithmonë një hundlesh më i fortë se ty. Si kanë ardhur punët, ke më shumë sukses si deputet. Dhe me talentin që ke ti, ke për të qenë ndër më të votuarit.
Unë po e mbyll këtu me një këshillë: mos u ngatërro me ujq si puna ime, se lë leshtë. Dhe mos më shkruaj prapë. sb/dritare.net