Berisha e akuzon për specializimet në mjekësi. Beqaj: Në kohën e tij, paguaje 20 mijë euro
Dritare.net
“Autoritetet zyrtare të Universitetit të mjekësisë dhanë pak kohë me parë alarmin sepse numri i mjekëve që marrin dokumente për t'u larguar nga vendi, është i barabartë me numrin e mjekëve që diplomohen në vend. Po të kemi parsysh këtu daljet në pension të qindra mjekëve çdo vit, që duhet të shoqërohen me diplomimin e mjekëve të rinj minimalisht sa numri i të pensionuarve, plus nevojat e tjera në Shqipëri, mund të thuhet se po ecet me shpjëtesi mbrapa. Numri i mjekëve për 1000 banorë po bie në nivele tejet kërcënuese për kujdesin shëndetësor dhe me pasoja shumë të rënda për shërbimin shëndetësor”, shkruante Berisha.
Ministri Beqaj sqaroi se ka pasur një boshllëk nga qeveria Berisha, për shkak të ndërprerjes së tyre. Sipas Beqajt, specializimet kanë filluar kur PS erdhi në pushtet dhe duhet kohë që këta persona të dalin si mjeke.
“ Ne nuk kemi mjekë. Ju lutemi dhe iu paguajmë 1 milionë ekstra nëse lënë Tiranën dhe shkojnë në rrethe, por nuk shkojnë. Kemi më shumë se 200 mungesa mjekësh specialistë dhe vetëm 8 prej tyre kanë pranuar, që përveç pageses marrin edhe 1 milion lekë shtesë. E kemi një pjesë detyruese në kontratat e specializimeve apo studimeve të nivelit të tretë që quhen sot në mjekës, por përgjithësisht ka pasur një politikë jo të mirë me burimet njerëzore. Është një nga problemet më të mprehta që ka shëndetësia, për të cilën edhe unë mund të rrëfehem sot, se nuk kam qenë i parapërgatitur për këtë problematikë.
Qeveria e mëparshme për tre vite nuk i hapi specializimet në mjekësi duke krijuar një boshllëk. Ne i kemi hapur para tre vjetësh, por ata duan edhe dy vjetë që të dalin mjekë. Para 5 vjetësh për një specializim, thuhej se paguheshin 20 mijë euro, e kjo gjë nuk ndodh sot. Specializimi është një proces që zhvillohet në fakultet, dhe ne kemi treguar se politikisht nuk ndërhyjmë në këtë proces. Specializimet e parvjetme kanë pasur shumë ankesa. 25 studentë kanë zhvilluar takim tek kryeministri, i ka pritur dhe i ka dëgjuar. Unë s’kam qenë i pranishëm, por asnjëri prej tyre nuk kishte dalë i pakënaqur me formulën e zgjedhjes”, tha Beqaj.
Gjithashtu, Beqaj pranoi se mjekët po largohen nga Shqipëria dhe ky sipas tij është një problem botëror sesa shqiptar.
“Ka njerëz që kërkojnë një mundësi më shumë. Edhe në Itali thonë që ikin edhe në Gjermani thonë që ikin dhe se ua merr Skandinavia. Italia thotë se ua merr Amerika, pra është një gjë që ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri. Ne duhet të përpiqemi që në radhë të parë tu krijojmë kushte pune, që të mos jenë ata delja e zezë, që të mos vuajnë ata perceptimin negativ, për defektet që ka sistemi, ku përgjegjësia është e jona dhe përpiqemi tu japim një shpërblim dinjitoz. Kjo është edhe arsyeja që këtë vit, përveç rritjes së pagës me 10% , në shërbimin e rojës apo në ca specialitete të renda si urgjenca apo reanimacioni, ne do të japim shpërblime shtesë”, u shpreh Beqaj. /dritare.net