Bëni një hasude këtë fundjavë!

Një ëmbëlsirë fantastike, me një shije të veçantë është hasudja e pjekur sipas traditës së amvisave shqiptare.

Një specialitet që është përgatitur prej dekadash me radhë në të gjitha trevat shqiptare. Në zona të ndryshme ajo ka emërtesa të ndryshme.

Diku njihet me emrin Hasude, diku tjetër tjetër me emrin Reshedi e diku tjetër edhe Revani e pjekur.

Megjithëse amvisat shqiptare e gatuajnë hasudenë në mënyra të ndryshme, padyshim një nga më të shijshme është receta e hasudesë së pjekur.

Dikur, hasudja gatuhej si një ëmbëlsirë e veçantë kur shtëpinë e vizitonin miq e mysafirë apo në raste të veçanta gëzimesh familjare.

Më poshtë keni sugjerimin se si të përgatisni hasuden e pjekur krejt lehtë në shtëpi.

Receta e saj kërkon pak durim dhe kujdes por rezultati në fund do t’ju kënaqë me patjetër nepsin dhe oreksin me shijen e saj.

Receta e Hasudes së Pjekur  

Përbërësit

200 gr niseshte

100 gr gjalpë

150 gr sheqer

Një filxhan kafeje me qumësht

600 ml ujë

Arra të thërrmuara sipas dëshirës

Përgatitja

Si fillim hidhni në një tenxhere gjysmën e sasisë së ujit që duhet në përgatitjen e hasudesë. Shtoni aty sheqerin dhe gjalpin e shkrirë.

Tenxheren vendoseni në zjarr të ngadaltë.

LEXO DHE :  Ndiqni këto rregulla etike, për një përshtypje më të mirë

Në vijim, në një enë tjetër të tretni niseshtenë me pjesën tjetër të ujit.

Në momentin që masa që kemi vendosur në zjarr nis të vlojë shtojmë nga pak niseshtenë e tretur duke trazuar masën në mënyrë të pandërprerë.

Mirë është që të përdorni një lugë druri gjatë përzierjes ose një rrahëse vezësh.

Përziejeni pa ndërprerje derisa masa të shkëputet lehtë nga anët e tenxheres.

Në fund, nëse dëshironi masës mund t’i shtoni edhe pak arra të thërrmuara brenda.

Më pas, masën e kalojmë nga tenxherja në një tavë duke e shtrirë në të gjithë sipërfaqen e saj në mënyrë të njëtrajtshme.

Në vijim, mbi hasuden që kemi vendosur në tavë hedhim qumështin dhe e përhapim në të gjithë sipërfaqen e saj.

Në disa raste, amvisat përdorin edhe një të verdhë veze të përzierë me qumështin dhe me të lyejnë sipërfaqen e hasudes.

Më pas, tavën futeni në furrën e parangrohur me 200 gradë. Lëreni të piqet përreth 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë të artë.

Hasudja shërbehet e ftohtë dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me fruta të ndryshme të freskëta por edhe të thata./AgroWeb.org

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.