Basha akuzon qeverinë: Zyrtari i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga nafta shqiptare...
Dritare.net
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së mbajtur ditën e sotme nga çadra e protestës para kryeministrisë, është shprehur se paratë e drogës po mbajnë në këmbë këtë qeveri. Basha ka pasur edhe një emër për këtë që po ndodh me Shqipërinë, ku sipas tij, një komplot i madh po u bëhet shqiptarëve. Dhe në këtë komplot, Basha ka futur edhe një zyrtar të lartë në Washington, i cili me partë e naftës, po lobon për të mbajtur akoma në detyrë qeverinë e korruptuar të Edi Ramës.
Fjala e Lulzim Bashës:
Është një komplot politik, ekonomik, kundër lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari. Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish që kanë bërë zap partitë e tyre përmes aleancës me krimin, kanë shndërruar territorin e Shqipërisë në një hambar droge. Në këtë komplot marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të një grushti politikanësh të korruptuar.
Asgjë nuk ka ndodhur vetvetiu. Ekonomia jonë është shkatërruar nga autorët e këtij komploti. Çmimet janë rritur, vuajtjet janë shtuar, faturat janë kripur si pjesë e këtij komploti. Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë Republikën e vjetër.
Lobistët e paguar me paratë drogës dhe lobisti i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga nafta shqiptare nuk duan t’ja dinë nëse ju keni bukë. Uashingtoni dhe Europa kanë qëndruar 100 vjet gjithmonë jo në krah të hajdutëve, po në krah të shqiptarëve, të Shqipërisë siç qëndrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje të madhe popullore.