Ballkan, një emër i mallkuar

Nga Sokol Kika

Ndoshta pak e dinë që emri Ballkan dhe Gadishulli Ballkanik, është një toponim relativisht i ri dhe që i përket kryesisht shekullit të XIX. Mund të kishte çfarëdo emër tjetër nisur nga vargmalet kryesore, Alpet Dinarike, mali mitik Olimp ose 5 detet që e lagin, por e merr emrin nga një vargmal që ndodhet në  Bullgari dhe kufizohet me Serbinë. Maja më e lartë është Botev me 2, 376 m e pakrahasueshme me malet tona; Mali i Korabi 2 756m, Jezerca 2 694m , Tomori 2416m.

  

Në kohët e lashta, grekët i quanin këto vargmale Haemos dhe latinët Haemus; mendohet që kjo fjalë rrjedhë nga trakishtja e lashtë, “saimon”, që do të thotë “male me kurriz”. Grekët e quanin gadishull vetëm pjesën pas Selanikut gjer në Detin e Zi ndërsa më vonë Perandoria Romake përdorte termin “Haemus et catena mundi” si kufi me barbarët.

Në aspektin gjeografik, në shekuj janë përdorur emërtime të ndryshme nga Prefektura e Ilirikumit, Perandori e Lindjes (bizantine), Rumelia ose Turqia Evropiane etj .

 

Për herë të parë ishte Johann Zeuge (Johan Cojge) që në 1808 shtroi për herë të parë idenë që të shtrihet koncepti i ngushtë gjeografik “Ballkan”, në një ide më të madhe territoriale që përfshin të gjithë gadishullin. Ishte koha që tokat e Perandorisë Osmane në Evropë po shiheshin si plaçke lufte, për t’u ndarë nga Perandoria Austro-Hungareze dhe ajo luftë. Duke filluar me Revolucionin Grek dhe në vazhdim, i gjithë rajoni ynë për më shumë se një shekull përfshihet në luftëra të vazhdueshme, ku përveç shteteve që lindën nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u përfshinë, përplasja e interesave të të gjitha Fuqive të Mëdha Evropiane. Ky konfrontim arriti deri në konflikt global, që kulmoi me Luftën e I dhe II botërore. Në çdo kancelari evropiane për rreth 150 vjet, deri në vitin 1947, dosja e Ballkanit ishte ndër më kryesoret në agjendat politike të Fuqive të Mëdha.

LEXO DHE :  Si do jetë moti, e shtunë 26 maj

Kjo solli edhe një farë lodhje dhe velje të kancelarive evropiane me problemet e Ballkanit, këtu vlen për t’u përmendur thënien e Ëinston Churchill-it  – “se Ballkani prodhon me shumë histori se sa Evropa mund të tresë” .

Pas perdes së hekurt të Luftës së Ftohtë dhe vetizolimin e Shqipërisë, në fillimet e viteve ’90 menduam se,  emri “Ballkan” duhet të kishte humbur pak nga emri i keq i saj, por ishte iluzion.

Në vitin 1993 isha pjesëmarrës në një grup për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi standard me Slloveninë, ku në preambulë thuhej: “Nisur nga marrëdhëniet shumë të mira dhe si dy vende ballkanike”….; pala sllovene me “indinjate” u shpreh se, Sllovenia nuk është vend ballkanik.(Dikur në Lojërat Ballkanike merrte pjesë edhe Hungaria)

Me hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në Evropë, nocioni gjeopolitik i Ballkanit u deformua plotësisht. Në agjendat politike evropiane ka filluar të përdoret termi “Ballkani Jugperëndimor” dhe për të sqaruar sadopak këtë çorbë e sqarojnë me komentin matematik ish-Jugosllavia – Slloveninë + Shqipërinë. Luftërat në ish-Jugosllavi e Kosovë, refugjatët që shkuan nga rajoni, së bashku me problemet e krimit të organizuar, si dhe kriza e thellë ekzistenciale dhe mungesa e një lidershipi të qartë të Bashkimit Evropian, kanë sjellë një situatë shumë të vështirë.  Megjithëse për disa vende janë hapur dhe në disa të tjera priten të hapen negociatat e pranimit, “de facto” integrimi i mëtejshëm mbetet ende në kalandrat greke.

Dikur në Perandorinë Romake për këtë territor përdorej termi :

  • “Limes” si kufi i hapur prej se cilit hynë në provincat e Perandorisë me qindra e mijëra persona e popuj, që u sistemuan më së miri në të gjitha provincat romake

Sot po shndërrohet kjo fjalë e vjetër latine në kuptimin e sotëm matematikor :

Limit, kufi që është i paarritshëm.

A është ndoshta mallkimi i vete emrit “Ballkan” ?/Dritare.net

 

1 Comment

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*