Arsyeja e vërtetë e shkarkimit të Fatmir Xhafajt dhe emërimit të Sandër Lleshit!

Nga Dritan Hila

Para një jave, një njohës i mirë i mekanizmit të pushtetit dhe personazh i dorës së parë në këto 28 vjet tranzicion me thoshte se, Fatmir Xhafaj do të jetë ministër i Brendshëm deri në momentin kur Rama do të ndihet realisht i kërcënuar nga arrestimet e tij. Pyetjes sime, nëse do ta lejonin amerikanët, njeri i të cilëve Xhafaj është, iu përgjigj se SHBA-të prioritet kanë stabilitetin rajonal dhe vetëm në të tilla raste bëjnë ndërhyrje drastike siç ishte Berisha në ‘97-ën.

Nëse Rama nuk i prek këto ekuilibra jashtë vendit, brenda vendit, ata përpiqen që të operojnë me të mundshmen.

Koha i dha të drejtë.

Le të përpiqemi me një analizë larg budallallëqeve që gëlojnë në të tilla raste. Pas dorëzimit të vëllait tek autoritetet italiane, Xhafaj nuk ishte i kërcënuar ligjërisht. Ai vetë, pavarësisht thashethemeve të rrjetit, nuk ka qenë i akuzuar për trafik droge dhe pjesëmarrës direkt apo indirekt në trafiqe. Çështja e vëllait të tij, ishte më shumë një arsye morale sesa operacionale. Politikisht, ai ishte njeriu më i besuar i amerikanëve dhe pastaj gjermanëve. Ndoshta për shkak të një qasjeje prej shtetari që Fatmir Xhafaj ka ndaj shtetit apo edhe të kompleksit për vëllanë e dënuar, ai ishte njeriu më intransigjent në luftën ndaj trafiqeve. Jo vetëm kaq. Ai nuk shquhej për zbatues të urdhrave të Ramës dhe ca më shumë shkatërroi edhe rrjetin e Tahirit në polici. Arrestimet e fundit, kishin mbledhur lakun në qafen e Vangjush Dakos. Bashkiaku i Durrësit tashmë nuk ka nevojë për dëshmi të tjera që është peng i krimit të organizuar në Durrës. Por ai është edhe padrinoja i PS-së në atë qark. Dako menaxhon rrjetet, tenderët dhe është nuni i shumë emërimeve në ndërmarrjet fitimprurëse të shtetit. Sa për shembull, drejtori i OSSHE, një gjigant me 250 milion euro buxhet investimesh, të cilat jepen sipas qejfit, është beniamin i Dakos dhe kandidati i mundshëm për Bashkinë e Durrësit. Kapja e përgjimeve të fundit, ku Dako vinte qershinë mbi tortë për lidhjet e tija me krimin, paniku që e kishte zënë bashkiakun e Durrësit, dhe frika e kryeministrit për arrestimin e beniaminit, e detyruan Ramën të shkarkonte ministrin e tij.

LEXO DHE :  Sanem dhe Can, të dashur në jetën reale

Zëvendësuesi i tij, gjeneral Lleshi është kandidati i duhur për të zëvendësuar Xhafajn për dy arsye.

Së pari qetëson opozitën, pasi gjenerali në fjalë është edhe autor i planit për shpalljen e shtetrrethimit pas 21 janarit. Pra është njeri i afërt me enturazhin e PD-së.

Së dyti, ndal valën e arrestimeve që ka shpërthyer, ose e drejton në kah tjetër. Për këtë i ka të gjitha cilësitë: nuk merr vesh nga puna e policisë dhe është njeri i të gjitha sezoneve dhe stinëve. Ajo që pritet është se, si do të reagojnë ndërkombëtarët dhe a do ta detyrojnë Ramën të vazhdojë arrestimet vertikalisht.

Pasi shkarkimi i Fatmir Xhafajt (duhet të jesh profan të mendosh se Xhafaj ka dhënë dorëheqjen), është një shenjë jo e mirë, për ata që shpresonin se, policia vërtet nuk po merrej me gjoba parkimesh, por po godiste të fortët real të vendit./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.