ARDENO, një histori shqiptare e pinjollit të Shtjefën Gjeçovit
Dritare.net
Në vitin ’92 komunistët që ishin në ikje, si për t’i kërkuar falje që nuk ja njohën meritat e emërojnë shef Sektori i Pyjores në Gjegjan. Por Tonini hyn në racën e njerëzve që janë të prerë për biznes. Nuk pret rrogën e shtetit, por me para borxh blen në Kukës makineri përpunim druri që ata që nuk i dinin vlerën po i shisnin. Hap pikën e parë me dhjetë punëtorë. Në vitin 1995 blen tokë në Laç dhe ngre fabrikën e parë të përpunimit të elementëve për Itali. Gjithë prodhimi i tij është për eksport dhe klientët e tij janë “Caligaris”, “Palma”, “Top Sedia” etj. Ende dhe sot janë. 140 punëtorë marrin rrogë tek firma që sapo kishte marrë krahë dhe lindi si bashkim i emrave të fëmijëve të tij Ardit dhe Eno. Me moratoriumin e e vitit ’97 mbi lëndën drusore, blen linjën e prodhimit të karrigeve. Karrigia është institucioni i mobilerisë, më thotë Tonini, pasi nëse një dollap ose kuzhinë e monton dhe nuk lëviz, karrigia është e gjitha dru dhe nënshtrohet një stresi të paparë. Ulesh, ngrihesh, përdridhesh, i jep mbrapa dhe para. Pasi më tha këtë, mu kujtua se para shumë viteve nuk gjeje karrige që mos kërciste. Ndërsa ato të Toninit janë “a prova di bomba”, kur thonë italianët. Madje edhe më rezistente. Kanë përballuar time bijë, e cila nuk ia ka dalë të shkatërrojë as divanin dhe, 125 kilet e mia që i lëshoj pa kujdes kur ulem. Një karrige kalon 186 procese më thotë njeriu që drurin e krahason me qënie që ka shpirt të gjallë. Dhe fitimi është jashtëzakonisht i vogël për njësi. Për të ulur kostot, trainon punëtorët që të racionalizojnë edhe lëvizjet e tyre. Shkollat profesionale kërkojnë bashkëpunim me të, dhe dera është e hapur. Fabrika që ngriti në vitin 2001 në Tiranë dha prodhimin e parë në vitin 2004. Me një kapacitet prej 500 njësish në ditë, eksporton në Gjermani, Itali, Greqi, Maqedoni, Mal i Zi dhe deri në Kinën e largët. Por jo gjithmonë është në gjendje të shfrytëzojë kapacitetin e plotë të saj. Pyetjes pse ndodh kjo dhe a ka faj shteti, Tonini që nuk shan njeri, më thotë se është faji i keqorganizimit të tregut dhe mungesës së pranisë së grosistëve. Këmbënguljes time nëse e bezdisin me taksa, më thotë se një shtet nga taksat mbahet dhe çdo qeveri ka bërë përmirësimet e veta. E provokoj për qeverinë Rama dhe ku është e mira e saj, dhe përgjigja është që, tani nuk të hyjnë më në fabrikë sikur po kërkojnë kriminelë. Problemi i tij nuk janë taksat, por konkurenca e pandershme. Unë mbaj 100 njerëz në punë, 2 dizajner, 3 inxhiniere druri, 4 arkitekte, më shpjegon, ju paguaj sigurimet dhe gjithçka sipas ligjit, ndërkohë konkurenca e atyre që punojnë në të zezë më vështirësojnë punën. Unë jap për sfungjerin e kolltukëve 10 vjet garanci, ndërsa një që ndërron punishte çdo 6 muaj dhe është i paregjistruar më konkuron pandershmërisht. Këto ditë në Pallatin e Kongreseve zhvillohet panairi i Mobilerisë dhe Tonini që është kryetar i Shoqatës ndihet si në shtëpinë e tij. Kur pimë kafe në bodrumin e godinës e pyeta nëse ia kanë prurë në majë të hundës dhe a i ka shkuar në mendje të ikë. Më tregoi për djalin e madh që e kishte çuar që dhjetë vjeç në Angli të studionte për të drejtuar firmën më vonë, pavarësisht se malli për ta parë dhe faturat e studimit shpesh e këpusnin në mes. Më rikujtoi fatkeqësinë natyrore që para 9-vjetësh ia rrafshoi fabrikën dhe e detyroi ta fillojë edhe një herë nga zeroja, kreditë që ka marrë për rikonstruktimin e aktivitetit dhe asnjëherë nuk i ka shkuar në mendje të bëjë hap pas. M'u kujtuar poezia “Nëse” e Rudiard Kiplingut ku i këshillonte birit të tij që çfarëdo t’i ndodhte mos të humbiste modestinë, kurajon dhe njerzillëkun. E cila ishte mishëruar në portretin e një çifti, miqte e mi./dritare.net