Ambasadori Lu dhe historia e letrës drejtuar shqiptarëve
Dritare.net
Tashmë prej katër muajsh qarkullon në rrjetet sociale, blogjet apo portalet një letër që Ambasadori i SHBA Donald Lu, u ka nisur shtetasve shqiptarë pas mbylljes së llotarisë amerikane, ku si asnjëherë tjetër kishin aplikuar 200 mijë shtetas shqiptarë, çka do të thotë rreth 1/3 e popullsisë shqiptare donte të ikte.
Letra e cila është botuar në datën 6 maj 2016 në portalin dritare.net, është në fakt një sajesë e imja e botuar në këndin humoristik të portalit, i quajtur “Këndi AGBV”, me titullin “Ambasadori Donald Lu sqaron për llotarinë amerikane” (shiko linkun në fund). Menjëherë pamfleti u bë viral në rrjet. Deri më sot, kam numëruar mbi 40 site, blogje apo portale që e kanë marrë dhe publikuar, pa u bërë merak për autorësinë dhe për më tepër vërtetësinë e saj. Ende edhe sot kjo letër-pamflet vazhdon e përhapet në portale të ndryshme nën tituj të ndryshëm, duke treguar banalitetin se ku është katandisur gazetaria në vendin tonë dhe kush është pushteti i katërt në Shqipëri, i cili pavarësisht se pretendon të tregohet qibar, është po aq hajdut, delenxhi dhe i paskrupullt sa tre pushtetet e tjerë.
Vetë Ambasada Amerikane u përmbyt nga kërkesat për të ditur nëse ishte e vërtetë letra, pavarësisht se teksti i saj ishte dukshëm jashtë rregullave të gjuhës normale diplomatike dhe e pamundur për t’u shkruar nga një ambasadë. Por ende sot shqiptarët vazhdojnë dhe e marrin për të vërtetë. E gjitha kjo, më shumë se popullaritet i letrës, tregon dëshpërimin e shqiptarëve. Grupi i parë janë të dëshpëruarit që mendojnë se llotaria amerikane do të mbyllet. Këta janë edhe më fatkeqët. Të ndodhur të pashpresë, përballë një pushteti kleptokratik, opozite anemike dhe Evrope e cila është gjithmonë e më armiqësore ndaj emigrantëve, e shikonin emigrimin në SHBA si shpresën e fundit për një jetë më të mirë. Këta nuk janë edhe shumë fajtorë që nuk munden të dallojnë gjuhën e fejtonit. Mungesa e shpresës është e tmerrshme.
Një grup tjetër janë ata që ndjejnë kënaqësi që më së fundi dikush me peshë po ju përplas në fytyrë të vërtetën politikanëve shqiptarë dhe po ju tregon dobësitë e tyre shqiptarëve. Në fakt ne dhe askush tjetër jemi fajtorë të kësaj gjendjeje. Jemi në mes të kontinentit më të bukur të planetit, në mes dy qytetërimeve që kanë bërë perëndimin këtë që është sot, dhe prapseprapë jemi në fund të karvanit dhe vazhdojmë të votojmë të njejtët, pa u bërë merak për idiotësinë tonë të pakorigjueshme elektorale. Askush nuk na e ka fajin që nuk dimë ta përdorim lirinë, dhe i vetmi sukses që kemi arritur është klonimi i Enver Hoxhës në katër kopje dhe bërja e filozofisë e revolucioneve në facebook.
Dhe pjesa e fundit është ajo inteligjencë e Tiranës e cila e ka marrë letrën për të vërtetë. Por me këta nuk dua të zgjatem. Por dua të them se shumë nga fejtonët dhe letërkëmbimet e Spartak Ngjelës me Ambasadën e SHBA, disa figura politike me peshë i kanë marrë për të vërteta. Kjo po, që është për të vënë duart në kokë./dritare.net
http://www.dritare.net/2016/05/06/ambasadori-donald-lu-sqaron-per-lotarine-amerikane/1