Ahmetaj/ Ulja e taksës së TVSH do të nisë nga 1 prilli
Dritare.net
“Biznesi i vogël e ka të pamundur të plotësojë vetë formularin, sepse të gjithë më janë shprehur se janë duke marrë një kontabilist dhe kjo do të sjellë shpenzime deri në 50 mijë lekë të rinj. Vetëm shpenzimet administrative ndikojnë te biznesi për të ulur marzhin e fitimit nga 23 për qind që e kanë në 26 për qind, që është në marzhin e mbijetesës, sepse po flasim për biznese me xhiro 2 milionë lekë”, u shpreh nënkryetarja. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se skema e TVSH-së nuk rrit kostot administrative të biznesit dhe çmimet për qytetarët.
“Ajo që dua të theksoj është se kostoja administrative do të jetë “0” , çmimet nuk do të lëvizin dhe kush e shet si “taksë e re”, e bën ose me qëllime politike për të dezinformuar, ose nga padija, si të duan le ta zgjedhin. Kudo që blihet kjo shishe uji, te dyqani i vogël i lagjes apo në një supermarket, brenda strukturës së çmimit sot ka TVSH-në. Kush e kundërshton është duke blerë jo te dyqani i lagjes, as supermarketi, por diku tjetër që nuk është në sistemin tatimor”, u shpreh Ahmetaj. Deputetët e opozitës debatuan edhe për taksën e pronës, Tabaku tha se, Taksa rritet për 90 për qind të qytetarëve
“Është e qartë që taksa e pronës është rritur të paktën 2-4 herë në vlerë, siç reflektohet dhe nga të ardhurat në rritje 2-4 herë në buxhetin e shtetit, 90 % e qytetarëve do vazhdojnë ta paguajnë këtë taksë të rritur 2-4 herë. Propozimi i zotit Shehu për ta bërë me faza është i drejtë. Gjykojmë që me 1 prill qeveria do të lëshojë tituj ekzekutivë që janë abuzivë”, u shpreh ajo.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, iu përgjigj opozitës duke sjellë shembuj konkretë të llogaritjes së taksës. Kreu i Financave tha se një familje, që jeton në një apartament me sipërfaqe 70 metra katrorë, do të paguajë 146 lekë në muaj. Ministri Ahmetaj u shpreh se për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993, të privatizuara nga qytetarët, taksa do të llogaritet për 70 për qind të vlerës së çmimit.
“Pikë së pari, dua që të nxjerr të pavërteta fjalët që tha zonja Tabaku, që iu referua që do të ketë një pagë mujore pagesë dhe të më gjejë një ku është dyfishuar apo katërfishuar. Ky është një debat që mund ta bëjmë edhe në Parlament. Këtu, për qytetarët, po thuhen shifrat. Pa fleksibilitetin e bashkisë, +30 apo -30 për qind: për 70 metra katrorë, sikur t’i referohemi me çmimin 100 për qind, jo me 70 për qind, taksa është 146 lekë në muaj. Ndërsa për një shtëpi e ’93-it, taksa do të jetë 102 lekë në muaj. Çmimi fiskal për metër katror këtu ishte 50 mijë lekë./panorama.al