Ueee goca, i keni parë këta çunat nga Ulqini?

Nga Fjorda Llukmani

Me trevat shqiptare s’jam njohur kurrë nga afër. Vetëm fjalë të dëgjuara nga njerëzit dhe çfarë na kanë mësuar në shkollë. Këtë herë pata trajnim njëjavor në Ulqin. Bashkimi Evropian ka një program të  quajtur “Erasmus +” duke nxitur shkëmbimin dhe trajnimin e të rinjve midis shteteve evropiane. E gjitha kjo pa para pasi kostot mbulohen prej tyre. Shpesh jam bërë pjesë e këtyre aktiviteteve duke përfaqësuar Shqipërinë në vende të ndryshme. Është super qejf sepse njef dhe njerëz nga të gjitha llojet dhe mëson më shumë se në shkollë. As unë s’ia kisha idenë derisa zbulova në Facebook grupin “Beyond Barries-Përtej Barrierave” që është një organizatë që merret posaçërisht me këtë punë. Falë tyre tani flas anglisht, nuk kam turp të komunikojmë të panjohur, njoh shumë njerëz nëpër Evropë etj etj.

Ulqini këtë herë u zgjodh prej organizatorëve dhe duke qenë se e kisha afër vendosa të aplikoj. Kur u thashë njerëzve që po iki në Ulqin më thanë: “Qyqa po Ulqinin ç’e do? Nuk gjete ndonjë vend më të bukur me vizitu ee?” O Zot kur do shpëtoj ndonjëherë nga këto komente negative. Po si thoni ju më mirë me nejt një javë në Tiranë, pa bo asigjo, apo më mirë një javë në Ulqin me 25 të huaj duke mësuar diçka të re për jetën?

Herën e parë në Ulqin e mbaj mend si mjegull. Isha 18 vjeç, në ekskursionin e maturës. Ndaluam për një kafe gjatë kthimit në Shqipëri dhe kaq. Më vonë njoha disa miq ulqinakë. Jetliri, i pari prej tyre, më bënte përshtypje sepse fliste me shumë dashuri për vendin e vet. Jo me patriotizëm , por me dashuri, dmth një njeri që do qytetin e lindjes dhe e vlerëson me të mirat dhe të këqijat që ka.

Pastaj njoha dhe disa të tjerë e dola në një konkluzion të përbashkët: ulqinakët janë shumë të qetë dhe të thjeshtë. Në asnjë moment nuk kam parë ndonjë formë krenarie ose ego pa lidhje, siç kemi në Shqipëri. Do thoja pak a shumë si shkodranët, vetëm se me tonin e zërit pak më të ulët.

Të ka lezet shpirti me bo muhabet me qytetarët këtu. Ne dukemi sikur po zihemi gjithë kohës

Hotelin dhe sallën ku mbaheshin sesionet e kishim tek kalaja. Vendi perfekt për një turiste si unë. Kafja e mëngjesit me pamje nga deti më ka shijuar që ç’të them. Në kala ka ndërtesa plot. Disa prej tyre janë në funksionin e hoteleve, restoranteve ose shtëpive banuese. Një ditë trajnuesit na dhanë si detyrë për të gjetur tregun ku shiteshin skllevërit brenda në kala. Takuam një zonjë e po përpiqeshim të merreshim vesh anglisht. Në atë moment  më del një fjalë shqip nga goja e ajo më thotë: “ A po flet shqip bre?”  “Po”-i kthehem unë. “Jam shqiptare që jetoj në Tiranë”. “Po fol breee që merrna vesh me gjuhën tonë . Pse po duhet me fol anglisht.”- më thotë ajo. Në supermarket e njëjta gjë, në rrugë po ashtu, tek muzeu po njësoj. Të gjithë këtu flasin shqip. Unë dija që jetonin shqiptarë në Ulqin, por jo që të gjithë ishin shqiptarë.. Me pak fjalë u ndjeva si në shtëpi. Asnjë ndryshim përveç sjelljes së njerëzve që e përmenda më sipër.

LEXO DHE :  Neritan Ceka jep alarmin: Po degradohet qendra më e rëndësishme arkeologjike në Shqipëri

Kalaja është ndërtuar nga ilirët në shekullin e 5 para Krishtit. Për shkak të pozitës gjeografike, ka qenë gjithmonë pre e sunduesve të mëdhenj. Nga muret e kalasë mund ta kuptosh kollaj ndryshimin e ndërtimit të njërës me tjetrin. Një shtresë muri është me gura të mëdhenj, e një shtresë tjetër me gurë pak më të vegjël. Kalaja ka dy hyrje dhe është si labirint nga brenda. Kështu duket kur e viziton për herë të parë, se ne që qëndruam gjatë na u bë si lagje e ja mësuam vrimat. Gjatë vizitës sime u takova me dy punonjës të turizmit të Ulqinit. Tek muzeu arkeoologjik po bëheshin punime dhe hyrja ishte e ndaluar. Ata më panë që unë u futa pa leje dhe u kishte bërë përshtypje guximi dhe interesi im. Pimë kafe turke në zyrën e tyre dhe bëmë muhabet sa u kënaqëm. Gjatë bisedave hapëm harta për të parë shtrirjen e qytetit, plazhet që ishin plot gjatë verës dhe deltën e lumit Buna.

“Nëse një grup vajzash duan të vinë për plazh këtu, ua siguroj që janë shumë herë më të sigurta se në plazhet e Shqipërisë. Nuk i ngacmon njeri dhe rrugëve natën. Megjithatë të rrallë janë turistët shqiptarë. Me siguri nuk e konsideron askush Ulqinin si destinacion turistik veror dhe s’ia di vlerat kush. Nejse se këtu se keni fajin ju, duhet të punojmë më shumë për promovimin e trevave.”- më thotë në muhabet e sipër Gazmendi. Ai punonte tek muzeu dhe i hapi dyert posaçërisht për mua. “Këto qilimat ja kemi kopjuar turkut”-i them unë. “Po pse kur nuk kishim turkun, kush na i bënte qilimat neve?”- ma kthen ai i revoltuar. Aty plasi një bisedë e gjatë atdhedashurie.

Direkt poshtë kalasë gjendet plazhi i madh me rërë. Pas tij rreshtohen si gjire të vogla me radhë plazhet e tjera. Në kafenetë buzë detit shikon kryesisht meshkuj. E çuditur që s’më panë sytë një femër u drejtohem disa burrave: “Po merreni more një femër me vete ta keni për zbukurim, si dilni kështu pa gratë iherë!”  Ngaqë isha me një grup të huajsh e të gjithë po na shikonin si turistë, askush nuk e priste një koment nga një femër, e aq më tepër në shqip. “Yyyy prej nga je ti goc kshu?”- më përgjigjet më i madhi i tavolinës. “Vij nga Tirana”- i them unë me qetësi. “Aaaaa po ju gocat tiranase jeni mësu me dal të keqen xhaxhi, neve i lejmë gratë në shpi se kanë punë”-më kthehet ai. Nuk mora mendimin të vazhdoja dialogun dhe arsyetimin tim të kotë.

Ama Ulqini më la një impakt pozitiv më tepër për njerëzit. Të qetë e të qeshur gjithmonë. Edhe kur bënim zhurmë shumë si grup të rinjsh, mazalla se u ankua njeri. Po si nuk dëgjova dikë të ulërasë! Në Ulqin nuk bërtet njeri, ama në Tiranë po. Mbase po të ishte Tirana buzë detit, dro do ishim më pak të stresuar. Uji sikur ta heq mendjen nga negativitetet apo jo? Teksti i këngës popullore “Ulqinakun s’ma do nana” ja kanë fut komplet kot. Ku me e gjet nana me pas dhondër një ulqinak!/Dritare.net/



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.