Për ta bërë byrekun me qumësht ju duhen përbërësit më poshtë!
Për 4-5 persona:
3 filxhanë çaji miell,
2 kokrra vezë
1 pako gjalpë ose vaj ulliri
¾ litër qumësht
1 filxhan çaji niseshte
pak kripë
Si ta përgatisni:
Si fillim duhen përgatitur petët e byrekut. Mund të përdorni petë të gatshme, por më mirë bëjini vetë. Hidheni miellin e situr në një tepsi. Hapni një vrimë në mes të tij dhe hidhni ujë me pak kripë. Përzierjen e brumit fillojeni nga mesi, duke kombinuar ujin me miellin. Brumin punojeni me duar për 8-10 minuta.
Pasi brumi të ketë marrë formën e duhur, ndajeni në kulaçe dhe mbulojini. Lërini të qëndrojnë për 20-25 minuta. Më pas hapini kuleçtë një e nga një duke i spërkatur me pak niseshte. Kur petët të jenë hapur sa duhet, piqini mbi sobë, ose mund edhe të mos i piqni, sipas dëshirës. Nëse i piqni, temperatura e sobës duhet të jetë mesatare në mënyrë që petët të mos digjen. Ndërkohë trazoni qumështin, vezët dhe gjalpin e shkrirë.
Në fund të tepsisë vendosni një petë të papjekur. Spërkateni me masën e qumështit dhe mbulojeni me një petë tjetër të pjekur. Spërkatini të gjitha petët një e nga një me masën e qumështit, vezëve dhe gjalpit deri sa tepsia të jetë mbushur e gjitha. Në fund, mbulojeni byrekun me petën e papjekur. Lyejeni me gjalpë dhe futeni në furrë. Lëreni byrekun të piqet për rreth 30-40 minuta, e më pas prijeni dhe hajeni. Ju beftë mirë!/K.C/dritare.net