Agim Gjakova, të kërkoj falje tash, për atëherë!

Nga Esad Dujaka*

Si e takova për herë të parë Agimin?
As në Gjakovë pra as në Mahallë të Hadumit, e as te Gjiri i Dijes në Erenik, por në mes të Tiranës! Dhjetëra vite pasi regjimi shovinist e Beogradit, pas torturave më çnjerëzore, e kishte përzënë për në Shqipëri si “i rrezikshëm” për Jugosllavinë!
Nuk e takova as në “Rogner” (se atëherë s’dinim ç’është e ç’do të jetë “Rogneri”!) por në hotelin e vetëm për të huajt ne Tiranë, në “Dajtin” e njohur!

Para 49 vjetëve kur grupi i parë i kompozitorëve nga Kosova dhe i nesh dy gazetarëve shqiptarë nga Prishtina, shkuam për ta përcjellë Festivalin e 9-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Krejt çka mund të them për festivalin veç më kujtohet se kënga fituese qe ajo “Shtëpia ku lindi Partia” në interpretim të Gaqo Çakos, kurse e dyta ajo e Liliana Kondakçi, shumë e mirë, por këngë dashurie e si duket edhe dashuria aso kohe ishte e ndaluar kogja shumë në vendin e shqipeve e të xhaxhit Enver!?
Kurse për takimet tona gjatë atyre pesë ditëve me Agimin, e di se ka qenë i paharrueshëm dhe vëllazëror. Por, Agimi që në takimin e parë me ne kosovarët e tij, veç që nuk e nisi muhabetin me atë këngën e paharrueshme të Dervish Shaqes “Kur ta kthyem Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimen…”
Agimi e kishte gjetur borë, ishte zhgënjyer gati që s’e thoshte hapur…Por, na dha me e kuptue kur thumbonte, me atë satirën e tij të hollë. Madje unë me një aparat fotografik sillesha i mallëngjyer, kurse Agimi me atë gjysmëbuzëqeshjen që kishte një domethënie që nuk ia dinim as arsyen e as hallin, më thoshte si me cinizëm:
“A s’shkove te bhaxhi me e ba nji syret, qe atje, matanë rrugës e ke!”
Dhe, Agimi shtonte sërish me atë gjysmëbuzëqeshjen e tij me një porosi që se dija atëherë se e qitte “Shko, shko pak te xhaxhi, qe atje matanë rrugës e ka shtëpinë…E ka marr malli për ju kosovarët!”
Dhe qeshte butë e ëmbël sa për ta kuptuar se ku e qitte fjalën…
Ne e kërkonim Kadarenë që ta bënim një intervistë (Jusuf Buxhovi për “Rilindje” kurse unë për “Zërin e Rinisë), por kot e kishim! Nuk na erdhi deri pas 3 ditëve, por edhe kur erdhi, erdhi i shoqëruar me sekretarin Partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pra, edhe Kadareja s’ka dyshim se ishte nën mbikëqyrje të partisë dhe kontrollohej apo ndoshta ky ishte kujdesi mental i Nanës Parti edhe për fjalët që do të thoshte Kadare!
Kur i treguam Agimit se ç’na ngjau me Kadarenë, qeshi prapë hollë dhe luajti kokën me nervozë që nuk ta fshihte!
Për dallim nga Kadareja, Dritëro Agolli ag e terr erdhi me ne ato net, madje unë e ai një natë e pritëm mëngjesin në një sallë të vogël të “Dajtit” ku na shoqëroi muzika e lehtë e një kitaristi ndërsa Agolli e unë cakërronim gotat goxha të mëdha të konjakut, të Korçës.
Agim miku, pas gjysmë shekulli të kërkoj falje që atë funddhjetori 1970 në “Dajti” nuk të kuptova drejt dhe çka kishe thellë në shpirt!
Se, ne mendonim që atje, matanë Pashtrikut e Gjeravicës, është shpëtimi ynë, se atje lind Dielli (me D të madhe!), kurse Agimi me shpirtin e tij kryengritës i kishte pas ditur të gjitha, të cilat veç që s’na i thoshte hapur.
Unë e tjerët me mua para 49 vjetësh, që u takuam edhe me ty Agim, mendonim se ishim në Shqipërinë e shtruar me lule!
Apo jo o rebel, miku im Agim Gjakova, Agim Kosova!

LEXO DHE :  Opozita e re/ Duma: Opozitat nuk janë njerëz që përfitojnë nga pushteti!

Të kërkoj falje që para 49 vjetësh nuk e dija shkakun e vërtetë të mllefit dhe të zhgënjimit tënd që t’i megjithatë veç që nuk shpërtheje hapur anipse na bëje me dije!

Rrofsh sa malet e mos t’u kalbtë ashti, e thotë populli, Agim miku që ti aq shumë e deshte!

Tash për atëherë, ma ban hallall Agim Gjakova, pash Kosovën!
———–
*Të shtunën në Prishtinë u mbajt një tryezë shkencore në temën “Agim Gjakova në letrat shqipe”./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.