A mund ta ndryshojë populli agjendën politike?

Nga Isa Myzyraj

Pak ditë më parë studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, të mbështetur edhe nga banorët e Porto-Romanos protestuan, protestuan për jetën.

Në fakt ishte një protestë në dukje si çdo protestë tjetër në Shqipëri, biles edhe më e “vakët” nga brohoritjet dhe zhurma e momentit, por në thelb një ndër protestat që shkaktoi bujë dhe pati impakt të menjëhershëm te publiku.

Vetë sllogani i protestës “Po jetës, jo vdekjes”, ishte sllogan që tregonte se 20 mijë studentë, rreth 500 akademikë, profesorë, doktorë, lektorë apo edhe stafi administrativ e banorët kishin vendosur që t’i shkonin deri në fund asaj që kishin nisur, kishin vendosur qoftë edhe me bojkot të mësimit të ndalonin djegien e plehrave 1 kilometer larg universitetit, dhe 200 metër larg shtëpive.


Pas protestës reagoi menjëherë kreu i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i cili si çdo reagim në të paktën 8 vjetët e fundit thoshte “do të bëhet”. Pas Dakos, studentët reaguan duke i dhënë ultimatum Dakos e duke thënë, “ Minimumi kërkojmë ndalimin e menjëhershme të djegies” sepse edhe ata e dinin që rehabilitimi i zonës donte kohën e saj, dhe kërkonin minimumin.

Pas këtyre reagimeve studentë dhe pedagogë zunë hapësira televizive në pothuaj të gjithë mediet në vend, Dritare.net shkoi në Porto-Romano me një grup studentësh në orën 08:00 të një të marte dhe u tregoi të gjithëve ato pamje të tmerrshme, pamje që do të shpërndaheshin masivisht në rrjetet sociale.

Por, teksa sinjalet ishin se situata ishte emergjente, por Bashkia përsëri po ecte me hapa të ngadaltë, zëvendësministri i Brendshëm, Sandër Lleshi në vendimin e dytë në krye të Ministrisë tha: “Të ndalohet menjëherë djegia e mbeturinave!”

LEXO DHE :  Tradhtarët patriotë

Shumë e përbuzën, e thanë: “Ty po të vriten njerëzit në rrugë, e merresh me plehrat”, në fakt Lleshi vendosi të mos merret me plehrat, por të merret me jetën, duke lënë të nënkuptohet se: “ Vrasjet e krimi, duan kohë që të vihen nën kontroll, unë po vë nën kontroll atë që mundem tani, menjëherë, dhe minimumi 20 mijë jetë njerëzish po i shpetoj”

E vërteta është se në Durrës, të nesërmen e vendimit, shkuan zjarrëfikësit dhe e shuan zjarrin, ndoshta përkohësisht, por e bënë, zbaruan urdhërin.

Pra, studentët, pedagogët, akademikët, banorët arritën të ndryshonin axhendën politike të atyre që për 8 vjet me radhë thoshin “do të bëhet” nëse deri më dje kishin protestuar 10 studentë e 5 banorë, sot të gjithe bashkë i thanë: “Mjaft, arriti kulmi! Dhe ia dolën, ia dolën sepse e treguan gjënë me foto e video, e treguan fytyrën e vërtetë, ashtu siç është, në vendin e “krimit”, jo në zyra e deklarata për shtyp.


Por edhe institucionet reflektuan, përballë bojkotit të 20 mijë studentëve, ata zgjidhën plotësimin e kërkesës numër 1, dhe jam i sigurtë që do t’i plotësojnë edhe kërkesat e tjera, sepse përballë një turme të tillë, përballë një kauze që në thelb ka jetën, asnjë qeveri e aq më pak Bashki, nuk mund të përballet.


Prandaj, kauzat e drejta fitojnë gjithmonë, me pak zhurmë e me tregimin e situatës me fakte dhe prova, të gjithë do të fitojnë, përballë kujtdo qofshin./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.