A do jetë fati i Lalit, si fati i katundarëve që përzë (dhe bën mirë)

Nga Dritan Hila
Lajmi rutinë i përzënies të disa shitësve abuzivë nga ambjentet publike nga policia bashkiake ka ngjallur një furtunë mediatike e cila si nis, ashtu edhe shuhet. Është një betejë që nuk e dëmton Veliajn, pasi për çdo fshatar abuziv të hequr nga rruga, janë dy shitës legalë perimesh që gëzohen nga eleminimi konkurencës së pandershme dhe katër banorë që i bezdis kaosi që krijojnë.
Nuk i prishin punë Veliajt, protestuesit profesionistë të rrjetit të cilët për të qenë të drejtë kanë formim civil dhe profesional të shëndoshë, por janë parapolitikë në objektivat e tyre dhe pa një platformë. Aq më pak protestat për zhdukjen e qenve endacakë apo masa e ordinerëve që fjalori u kufizohet në tre lidhëza dhe organet gjenetale.
Por, po fillon viti i fundit i qeverisjes së Veliajt dhe është koha të bëhet një bilanc i tij.
Veliaj është nga njerëzit që i ka mëshuar shumë imazhit. Vështirë të ketë bërë aq punë sa ka thënë, por makina e tij e propagandës ka qenë efiçente. Shumë nga aksionet e tij kanë qenë pa impakt, por të tjerat kanë qenë të prekshme.
Parku i fëmijëve i liqenit ishte një fjasko, por përfundimi i unazës që e rrethon liqenin është evident dhe mbresëlënës; Rregullimi i cepave të trotuarëve që paraqiteshin, sikur bënte digën e Fierzës ishin për të mbushur edicionet ditore te lajmeve, por rikualifikimi i disa segmenteve si Komuna e Parisit, Pazari i Ri, apo segmentëve të tjerë i kanë rritur pikë. Tirana nuk është betonuar aq sa e akuzojnë kundërshtarët, ende jo, por nëse gjysma e akuzave është e vërtetë atëhere ka përgatitur një masakër urbane.
Për këtë Edi Rama është bashkëfajtor, në mos ai më kryesori.
Por cila do të jetë e ardhmja e tij politike e Erion Veliajt?
Fillimet e tij si ministër që vraponte me fëmijë romë në krahë kaluan shpejt dhe ai u përball me çështjet reale. Por ministria ishte vetëm një trampolinë. Synimi i tij ishte bashkia, në mënyrë që të imitonte edhe trasenë e Ramës.
Veliaj u përpoq të ishte djali i mirë në konkurencën me Tahirin. Sektori delikat, ku operonte konkurenti i tij, ia hëngri kokën vetë.
Në ujëra të qeta, lundrimi i tij drejt rikandidimit duhej të ishte i sigurtë, por ngjan se bathët nuk janë mirë për kryetarin e bashkisë. Pushteti i grumbulluar për shkak të funksionit, interesat që ndërthuren, e kanë fuqizuar. Dhe nëse Rama humbet në vitin 2021, Veliaj bëhet konkurent serioz për kryesinë e PS. Por Rama është ende i ri për të dalë në pension.
Ndaj ngjan se Veliaj nuk është më i preferuari i tij. A do të jetë ai kandidati i vitit 2019 mbetet për t’u parë. Sulme të cilat i vijnë nga segmentë të Ramës, potencimi i tyre apo aleancat edhe për çështje banale si kjo e shitësve abuzivë, tregojnë se Lali nuk i ka mirë punët.
A do të zgjedhë ai një përplasje me Ramën? Ka shumë të ngjarë se jo. Tashmë edhe Veliaj e ka pësuar konsumin e tij nga pushteti. Ai ka pasur një makinë efiçente propagande, por edhe kundërshtarët e tij kanë qenë jo më pak efektivë dhe të shumtë, madje duke harruar herë me qëllim dhe herë pa, se problemi kryesor i tyre ishte Rama. Historia dhe politika nuk kanë vijë llogjike.
Ndërkohë edhe në mos marrtë miratimin e Ramës për rikandidim, Lali si tiranas i adoptuar do të presë, Koha shëron shumë plagë dhe mbyll shumë probleme. Ku i dihet? Një ditë mund të lindë nevoja edhe një herë për të. Sidomos në një treg si ai politik, ku prodhimet ose janë të kalbura ose të infektuara. Si produktet e shitësve abuzivë./dritare.net

LEXO DHE :  Horoskopi i datës 21 gusht 2018

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.