5 mënyra, si të udhëtoni pothuajse falas!
Dritare.net
E di, edhe unë njësoj si ju kam qenë studente dhe të ardhurat le të themi s’janë pika e fortë e të njëzetave.
Por, po e njëjta periudhë është idealja për të udhëtuar e zbuluar botën, sigurisht. Sapo të shkon në mend ky muhabet, i hedh një sy asaj të bekuarës kartë, s’lë më kuti kursimesh pa kthyer përmbys dhe fillon e bën llogari për rrogat e 6 mujorit të fundit, të cilat u zhdukën si me magji. “O maaa!” është shpëtimi që të vjen ndërmend, por miq, lejomëni t’iu jap një zgjidhje ju e mamave tuaja: MUND TË UDHËTONI (POTHUAJSE) FALAS!
Ja sesi:
1. Të kursesh paratë e biletave
Atëherë, bëj mirë ta saktësoj që kur them “pothuajse falas”, kjo vjen shoqëruar me dëshirën e madhe që duhet të kesh dhe shumë energji. Pra, shumë sportivitet paketuar në valixhe, mik.
Më kujtohet ende hera e parë që bëra një udhëtim të stërzgjatur me autobus Tiranë-Danimarkë. Besomëni, nuk ka asgjë që të më frikësojë pas kësaj.
Krahas faktit që shumë prej jush mund ta dijë: të rezervosh biletën muaj përpara datës së udhëtimit ju kursen deri në 50% të vlerës së saj, unë do t’ju inkurajoja që të përdornit aeroportet pranë vendit tonë e këtu s’e kam fjalën vetëm për Podgoricën dhe Prishtinën, por të marrësh tragetin për Bari p.sh (40 euro/person) dhe më pas një biletë për Barcelonë nga aty (last minute ticket 20 euro/person), besomë të kursen goxha. Përveç kësaj, nëse je kudo ku ofrohet shërbimi Flixbus (https://www.flixbus.com/) ose BlaBlaCar nëse je më social, sesa unë dhe do të ndash një udhëtim me të tjerë(https://www.blablacar.com/), duhet patjetër t’i zgjedhësh. Hera e fundit që e përdora në Itali, kurseva 20 euro. Gjithashtu, mos harro që të blesh RAIL PASS ose biletë “abone” që ju lehtëson kostot dhe ka një kohëzgjatje që varion nga 24 orë, deri në disa ditë. Më falëndero më vonë!
2. Akomodimi aka halli më i madh i udhëtimeve tona
Kështu thosha shpesh me vete unë, derisa erdhi një moment dhe tanimë nuk e mendoj këtë pjesë. Më së shumti sepse jam bërë kaq e mirë në përzgjedhje, saqë shuma më e madhe që kam përdorur për akomodimin ka qenë 48 euro, në Paris për 4 ditë. E shikon? Ndaj mbaj shënime!
Harroje Airbnb, unë përdor Couchsurfing (https://www.couchsurfing.com/). Ka kaq shumë varietet aty nga Toni në Las Vegasin e largët (https://www.couchsurfing.com/people/tony-lex) deri në Australi me Harshin (https://www.couchsurfing.com/people/harshikaram). Përpos faktit që kam bërë disa miq të mrekullueshëm ndër vite, më besoni, merr vërtetë esencën e vendit ku shkon nëse shoqërohesh me njerëz vendas. Ama nëse do të jetosh akoma më tepër eksperiencën lokale në një shtëpi tipike, por sigurisht t’i duash kafshët, unë të këshilloj Trusted Housesitting (https://www.trustedhousesitters.com/) (për t’u kujdesuar gjatë festave të fundvitit për macen pinkie në Londër apo simotrat e saj kudo në botë (https://www.trustedhousesitters.com/) ) ose Nomador me varietet e shumëllojshme në qytetin që ti do. (https://www.google.al/search?q=nomador&rlz=1C1CHBF_enAL762AL762&oq=nomador&aqs=chrome..69i57j0j69i60l2j0l2.1205j0j4&sourceid=chrome&ie=UTF-8 )
Nuk të duhet të paguash asgjë, përkundrazi përfiton një shtëpi shumë të këndshme e disa miq të rinj katërputroshë.
3. Shëtit e vizito falas
Ata që janë udhëtarë frekuent, e dinë që në 90% të qyteteve ku udhëtojnë ka guida falas të qyteteve dhe pikave kryesore turistike në to. E dinë edhe që këto guida janë shumë shpesh më interesante se guida që paguani bashkë më udhëtimin nëpërmjet agjencive, duke qenë se organizohet nga të rinj entuziastë e të apasionuar me qytetin e tyre. Për t’u njohur me ta nuk ju duhen informacionet e mia: ua jep informacionin Zyra Turistike e qytetit ku shkoni, në hostelin apo hotelin tuaj ose akoma më thjesht duke kërkuar në Google “Free guide ____) duke i shtuar emrin e qytetit të cilin do të vizitoni. Kam akoma një sekret për ju: e dini që mund ta vizitoni Museun e Artit Modern në New York çdo të premte nga ora 16.00-20.00 falas? Biles edhe muzeu i Pikasos për entuziastët e artit është falas të dielave të para të çdo muaji? Nëse jeni të organizuar, mund të bëni një agjendë ku të planifikoni një udhëtim pikërisht në ditë të tilla. Ja ku kursyem edhe për t’u kulturuar pak!
4. Pushime të stërzgjatura, pse mos të punoj?
Mua të them të drejtën, nuk më entuziazmojnë pushimet 4-ditore ku vërdallisem në një qytet e “bëj turisten” cepave të tejmbushur me të tjerë si unë. Më pëlqen të eksploroj pak më gjatë, si vendasit, të ha e jetoj aq ditë njësoj si ata për të marrë vërtet me vete, kujtimin e atij vendi. Kjo mbase edhe e nxitur nga mënyra e parë që kam përdorur për të udhëtuar: trajnimet. Të qenit pjesë e shoqërisë civile, na bie puna më e vështirë: të udhëtojmë për të punuar. Mos qeshni, vërtet shpenzimet janë të mbuluara, por të gjesh kohë mes seminaresh është një aftësi më vete. Për ata që duan të rrinë më gjatë: të aftësohen në një fushë të caktuar, të bëjnë një punë për të mbledhur ca lekë të shpejta apo thjesht të shkëputen nga jeta monotone e të zbulojnë veten; ky shkrim është për ju. Kërko në HelpX (https://www.helpx.net/) punën që do (ata të mbulojnë akomodimin e ushqimin për 4-6 orë punë në ditë) qoftë ajo në mes të një hosteli në rrugët e ngushta të Pragës apo një anije “piratësh” në Holandë që kërkon ekuipazh. Edhe për ty që je kthyer vegan/vegetarian dhe ëndërron të kesh një kopsht e të bësh kopshtarin kur të dalësh në pension, provoje njëherë WWOF (http://wwoof.net/). Gjithnjë kam dashur të eksploroj pasionin tim jo-ekzistent për kopshtarinë në një fermë organike në Kamboxhia!
- Kurrë mos i thuaj “Jo” kursimit edhe për:
-T’u bërë pjesë e bursave të ndryshme që shumë biznese japin për të udhëtuar (Po, Red Bull është një ndër ta me mundësinë e bursave që hapen në pranverë!) të cilat jo vetëm ju mundësojnë të njihni botën, por edhe të zhvilloni talente e të eksploroni gjatë këtyre rrugëtimeve.
- Të bësh auto-stop nuk është kurrë turp! Përkundrazi, është ndofta mënyra më efektive e të udhëtuarit shpejt e pa kosto. Nëse dhe ju si mua na kanë tmerruar prindërit e gjyshërit për legjenda urbane nga “të panjohurit” hidhi një sy HitchWiki (http://hitchwiki.org/en/Main_Page) për të parë cilat vende janë më të sigurta për ta bërë këtë.
- Mos harxho për vaktet! Nëse do vërtet të kursesh, mundohu të gjesh një hapësirë akomodimi me kuzhinë kështu vaktet mund t’i gatuash, duke harxhuar fare pak për blerjet në supermarkete të ndryshme. Një shoqja ime qëndroi në Mynih një javë duke harxhuar vetëm 100 euro për vaktet duke bërë këtë./dritare.net