5 libra për t’u lexuar, para se të udhëtosh në këto vende!

Nga Xheni Hatillari

E keni parasysh atë momentin që miqtë apo mikeshat tuaja fiksohen pas një veshje apo një orendie për shtëpinë e re? Një mikesha ime po më mbushte mendjen një ditë se sa shumë i duhej një furrë e re, sepse kjo që ka nuk kishte sinjal vokal për përfundimin e procesit. Epo, unë nuk kam menduar kurrë në jetën time për këto. Në fakt, gjithë jetën time kam vuajtur vetëm nga një fiksim: të udhëtoj. E ma merr mendja, s’jam e vetmja. Por që thoni ju, kam dhe një fiksim të dytë: nuk shkoj kurrë diku (qoftë edhe në një atraksion në Shqipëri) pa e google-uar gjatë, e mësuar çdo gjë prej tij, aq sa të më duket se në atë vend kam shkuar tanimë. Eksesi në internet na i ka lehtësuar punët e investigimi im del gjithmonë frutdhënës sa miqtë e mi më pyesin disa herë: “Moj po vërtetë s’ke qenë këtu më parë?”.

Ama kurrë s’më kanë pëlqyer vendet plot e përplot me turistë e për pasojë, as vendet tipike ku 1 në 2 nga miqtë e tu në Facebook ka një foto. Por këto kohë kam zbuluar një kënaqësi të re: të udhëtosh me një libër PIKËRISHT për atë vend, drejt destinacionit tënd. Ju duket sikur vetë qyteti ju flet dhe nuk krahasohet me asnjë review në internet. Le të marrim avionin për në librarinë më të afërt atëherë:

1-“Si të jesh parisiene kudo që jeton” (Shtëpia Botuese Dudaj, 1200 lekë)

Kur libri doli në shitje i përkthyer, u bë një bum i madh fotosh e shprehjesh në Instagram, nga çdo vajzë që njihja sepse fundja në foto dukej bukur, por dreqi ta hajë, kush nga ne nuk do të donte të ishte parisiene. E për këtë, e shtyva ca leximin e ti,  sepse në Paris kisha qenë, ca qoshe ia njihja me imtësi e pse të harxhoja kohë. Por bëra si bëra dhe pak ditë para udhëtimit tim të dytë në Paris, nisa ta lexoj. Është kaq libër femëror, po aq dhe i lehtë si një puhizë në majë të Montmartre. Përpos faktit që nxora shënime e vizitova vende si “L’Hôtel Particulier” për një darkë franceze dhe thashë “kur të vdes, shpirti im do të shkojë në një dyqan ëmbëlsirash në Paris!” kur vizitova Local Viennese, u ndjeva kaq franceze kur mora baguette dhe djathë brie nën sqetull në një dyqan çfarëdo pa e vrarë mendjen. Mos prisni një libër që t’ju mësojë shkencë, ky ju mëson ironinë dhe ju zgjat dorën për në Paris. Kapeni!

2-“Stambolli”, Orhan Pamuk (Shtëpia botuese Skanderbeg, 1200 lekë)

Një libër gri, si kujtimet e Pamuk dhe ditët e nëntorit kur unë vizitova Stambollin. Libër që ecën ngadalë njësoj si fëmijëria që Orhan rrëfen aty, duke lëvizur nëpër lagjet e Stambollit dhe anijet që kalonin në Bosfor të enjten, që unë i sodisja nga bregu. Stambolli është vërtetë një qytet si i dalë nga librat, si skenografia ku të gjitha ëndrrat marrin jetë, mes melakonlisë së qytetit me peshkatarët buzë Bosforit, që peshkojnë e turistëve që gëlojnë rreth Kullës së Gallatës, si në fotografitë që shoqërojnë këtë libër. Mos e humb, bileta drejt Stambollit kushton pak edhe për më pak mund ta blesh këtë libër dhe ti në panair si unë!

LEXO DHE :  Horoskopi i datës 13 nëntor 2018

3- ”Ha, lutu, dashuro” (Shtëpia Botuese Dudaj, 900 lekë)

Kur lexova këtë libër, isha akoma e vogël (kam pasur gjithnjë një zakon që u shkëputa herët prej librave të fëmijëve) dhe që atëherë i shprehja gjyshes sime që ishte njëkohësisht furnitorja dhe shtysa më e madhe që unë të lexoja, se kur të isha 30 vjeçe do e merrja e së bashku do të udhëtonim siç bëri Elizabeta në këtë libër: Itali, Indi e Bali. S’e di ende se kur do ta plotësoj ëndrrën time plotësisht, ama deri tani parajsa e ushqimit për mua është Italia edhe nuk ka asgjë më të shijshme në botë, sesa një picë në Napoli e me vrap një “gelato” rrugica e shatërvanëve të Romës! Për Indinë e Balin, pres ende të më thoni ju nëse fiks si në libër, ngjyrat e shijet e forta të ngelin në mendje, njësoj si teksa e shfletoj sërish këtë autobiografi drejt një rrugëtimi sa shpirtëror aq edhe eksplorues.

4- “Mikesha Gjeniale” (Shtëpia Botuese PEGI, 1000 lekë)


Këtë libër e zbulova vonë dhe vetëm për shkak të misterit pas emrit të Elena Ferrantes, bile edhe pasi kisha vizituar Napolin për herë të parë. Për fat, unë vij nga Shqipëria dhe as ’’rrugët e errëta, trafiku i rënduar, trotuaret e thyer..” siç përshkruhen në novelë, nuk më frikësojnë për të përfunduar librin me një ndjenjë pendimi, por me dëshirë të madhe që zien brenda teje për të vizituar lagjen ku u rritën Lila e Lenu, apo për të humbur mes dyqaneve të nusërisë në Rione fiks siç bëri Lila para martesës së saj. Kështu bëra, e pashë përtej mureve me slogane të viteve 60’, përtej rrugicave nëpër të cilat ngatërrohen e pres të më dalë përpara postieri që vetë Lila vari në mure. Për mua, Napoli do të ketë përgjithnjë shijen e sfoliatës me vanilje, kanellë e portokall si ajo që përshkruan Ferrante. Mjafton të kesh oreks dhe ti!

5-“Alkimisti” (Botimet Toena, 700 lekë)

Ka pak libra që jehojnë mes gjeneratash dhe ky është një nga ata. E kanë lexuar gjyshja e mamaja ime, me siguri një ditë do ta lexojnë edhe fëmijët e mi. Por unë e kam lexuar edhe përtej asaj që shpreh: e kam parë si një guidë udhëtimi. Siç dihet “rëndësi ka rrugëtimi e jo destinacioni” kjo është një përrallë e mirëfilltë e një sërë vendesh. Ndofta s’do të na bjerë rasti të udhëtojmë në të njëjtin rend si ai, por me siguri sa herë të të bjerë rruga në Spanjë, do e konsiderosh bregdetin e Tarifa, ajrin e ngrohtë të Andalusisë dhe era do të të sjellë në vesh fjalët që fallxhorja i tha Santiagos, për udhëtimin e tij drejt Piramidave të Egjiptit. Të tilla fjalë dua unë t’i pëshpëritë kartës sime të kreditit që shpejt të rezervojë biletën për në Marok e Egjipt. Me siguri dhe ti!/dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.