5 arsye pse nesër duhet të shkosh në Belsh!

Prej punës, këto kohë më duhet të udhëtoj shpesh në zona ku ndodh të mos kem qenë më parë e kështu të premten kalimthi kalova në Belsh. Kolegët po më thonin që Belshi qenkërka kërthiza e Shqipërisë, por unë ndërkohë prisja me padurim sesi duke iu afruar qytetit të më shfaqeshin të gjithë liqenet që më thanë se kish aty.

Ishte dhe ditë me diell, e premte dhe pak i vura veshin historisë teksa po e shijoja qetësinë e qytezës. Atë mbrëmje i ndërrova mendjen grupit tim për destinacionin e fundjavës dhe teksa recitoja në çdo telefonatë:”Ej, po ia vlen, ka 85 liqene aty rrotull”, më dukej vetja fiks sikur po ua shisja Belshin. Kështu të nesërmen rreth drekës u nisëm një grup prej 10 vetash për t’iu çuar edhe ju këtë fundjavë aty sepse kam 5 arsye të cilave nuk do t’i rezistoni dot:

1. Afër dhe larg, por shumë shpejtë.

Për ne që nuk preferojmë të ngasim makinën por të jemi pasagjerë të gjithëmonshëm, rruga dhe infrastruktura pak rëndësi ka. Por dhe ju të tjerët mos u shqetësoni: Belshi ka një rrugë të gati-sapo-bërë, drejt dhe shtruar që nuk e ndjen sepse shumicën e kohës je në autostradë. Dhe për ju (dhe unë bëj pjesë këtu!) romantikët, që magjepseni me ngjyrën e fushave dhe rezervuarët që na duken si liqene, do e shijoni shumë! Të arrish në Belsh, në varësi të sa shtruar e merr mund të dojë rreth 1 orë pa ndalesa nga Tirana. Është fare e lehtë të shkoni aty gjithsesi: aksi Tiranë – Elbasan deri në kryqëzimin e Bradasheshit për t’u kthyer më pas në Cërrik e mjafton të ndiqni tabelat! Po, kish tabela biles natën infrastruktura ndihmëse e rrugës të bënte punë. Bëj një ndalesë në Belsh qytet e më pas merr rrugën për Seferan! Më dëgjo mua!

2. Stomaku të buzëqesh

Unë e mbaj veten për njeri që e shijon shumë ushqimin e fshatit, sidomos së fundmi kur gjithnjë e më shumë shqetësohem për cilësinë e të ushqyerit mirë. Ne vizituam një bujtinë në Seferan, ku çdo gjë vinte nga ara përballë drejt e në tavolinë. Kështu ish kudo në fshat. Është e pamundur mos të tundohesh nga freskia e produkteve teksa kalon në fshat e banorët të zgjasin të mbështjella me gazeta vezë të freskëta. Akoma më kujton kjo fëmijërinë kur haja diçka që s’e di a kishte emër por do të më kujtojë gjithnjë dashurinë e gjyshes: vezë e freskët e rrahur me sheqer!
Teksa prisnim të hanim, një miku im këputi portokalle nga oborri e në vreshtin ku shëtitëm bëhej vera muaj më parë. Provova djathë nape e sigurisht buka e misrit si antipastë s’paska shoqe! Pulë me misnik e përshesh kishim për drekë, uroj vetëm të mos më kryqëzojnë vegjetarianët!
Më ngeli pishman qumështori, por yeah: kosi me mjaltë e arra (2 pjatëza) ishin mjaftueshëm që të ikja e lumtur prej aty!

3. Na pritën si miq e ndjehesh në shtëpi

LEXO DHE :  Largohet trajneri i Vllaznisë, ja pse mori këtë vendim Hasan Lika!

Me siguri është kështu në çdo fshat të Shqipërisë ku ruhen ende traditat me fanatizëm: për mua ka ende ndër ato tradita që kanë sjellë probleme sociale në shoqërinë tonë por s’paska më mirë se të ndjehesh i mirëseardhur. Për ne që kamarierët me zor na japin kafen e mëngjesit apo nervat e shitëses ditën e diel thua se është faji yt që është aty janë bërë të padurueshme, vraponi në Belsh! Njëra nga makinat me të cilat po shkonim, erdhi pak më vonë. “Më të pyetur, gjendet Stambolli!” ka qenë motoja e grupit tonë dhe kemi gjetur Stambollin gjithashtu, por kjo është një histori tjetër. Pyetën në zonë dhe një nga banorët kish hipur në makinën e tyre për vetëm 500 metra për t’i orientuar më saktë. Ne sigurisht na bëri çudi edhe fakti që në qytet, njerëzit na shikonin me interes, edhe që kamarieri i një lokali në Belsh më thonte “Po!” për pyetjet e mia nëse kishin nga kjo apo ajo. Siç duket, mikpritja vinka nga kërthiza, pra Belshi! Kot s’ka dashur Sami Frashëri ta shpallnin kryeqytet Belshin!

4. Akoma pak i populluar, por me gjen çdo gjë

Për të thënë të vërtetën, unë s’e njoh aq shumë Belshin, por iu përgjigja me siguri grupit se do gjenin çdo gjë aty. Qyteti, shëtitorja buzë liqenit, rruga për në fshat, bujtinat ishin të gjitha të aksesueshme lehtë. Më çuditi shëtitorja, akoma më shumë natën. S’dua ta ekzagjeroj dhe t’iu them që ishte fiks si në Lugano por aty rrotull. Kish kanoe në ditët me diell, edhe varka të vogla me të cilat mund të shëtisje. Më thanë njerëzit e zonës që dikur aty nuk kaloje dot, kish pasur vetëm lokale ku njerëzit pinin raki e për shumë kohë vendi kutërbonte nga era e keqe. Ishin prishur të gjitha për t’i hapur vend pamjes që gjetëm ne. Kishte dhe një rrugë ku njerëzit mund t’i binin përqark liqenit duke vrapuar apo me biçikleta. Nga kodra në mbrëmje, shihje të gjithë liqenin rrethuar me drita që i jepnin më shumë dritë. Ua thashë, jam romantike: bashkë me qiellin plot yje atë të shtunën bënin një tabllo perfekte!

5. Ia vlen për një fundjavë!

E dini që ka një vend që mund të pijnë “kafe” 10 veta e të kushtojë 260 lekë të reja e gjithë fatura? Ja pra, në Belsh! Dreka shokut tim të ngushtë s’iu duk dhe aq lirë, mes bujtinave që një pjesë ishin mbyllur, ca hapeshin vetëm në verë, mund të gjeni padyshim diçka që iu shkon për shtat!
Pyesni rrotull sepse çdokush do priret t’iu orientojë e japë mend për t’iu ndihmuar: mos ikni pa një kafe buzë liqenit! Dhe nëse je një tip akoma më atletik, vish atletet më të rehatshme e nisu për eksplorim të 85 liqeneve: kjo kushton 0 lekë!/dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.