5 arsye pse 2019 është viti i vajzave sipërmarrëse!

Nga Xheni Hatillari

Në tavolinën e punës së botueses sonë, Rudinës kur u takuam së fundmi prehej një libër: “Të gjithë duhet të jemi feministë” i Chimamanda Ngozi Adichie që tërhoqi detyrimisht vëmendjen time pa nisur mirë viti 2019 thua se akoma duhet të kërkojmë ne, vajzat e gratë për një pozitë të barabartë pa u dashur të luftojmë kaq shumë.

Është viti 2019, viti i Gjermanisë me gjini asnjanëse, me Etiopinë e presidenten e parë grua dhe gratë që mund të vozitin në Lindjen e Mesme. Biles Bleona mbushi mediet me ngrirjen e vezëve për të na treguar edhe një herë që edhe këtu, djema, mund t’ia dalim pa ju. Teksa mendoja akoma gjithë gjullurdinë që lind brenda meje teksa përmendet njëfarësoj feminizmi, pyes veten sa e vështirë mund të jetë në Shqipëri të jesh realisht grua dhe në pozitë drejtuese. Shkoj edhe më tej të pyes veten se, sa shanse reale kanë vajzat e moshës sime për këtë para se t’ua mbushim mendjen me broçkulla propagandiste.
Çfarë do të dëgjoni më poshtë nuk është thënë nga unë, por nga të zonjat e punës, vajza në Shqipëri që sot drejtojnë sipërmarrje të suksesshme. Pjesën më të madhe të tyre i njoh prej kohësh e më besoni, më habisin me dimensionet e shumta që zotërojnë.
Ja cilat kanë 5 arsyet pse vajzat 20 e kusur vjeçare mund t’ia dalin në Shqipëri për të drejtuar një iniciativë tyren!

1. “Nëse ju mendoni se mund ose nuk mund të bëni diçka, në çdo rast keni të drejtë.” Aneida Bajraktari

Aneidën e njoha në një event network-u ku ish e ftuar të fliste dhe teksa e pashë të vijë përpos moshës së re që e tregon dukshëm, në ligjëratën e saj ti dalloje lehtësisht pozitivitetin e mendimit të saj dhe dashurinë e madhe për punën e ëndrrën që kish ndjekur. Ajo është bashkëthemeluese e “Balkans Capital, kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve financiare për biznese dhe organizata jofitimprurëse. Ajo është gjithashtu drejtuese e Startup Grind në Tiranë, një komunitet global i mbështetur nga Google që edukon, frymëzon dhe vë në kontakt të drejtpërdrejtë sipërmarrësit e rinj apo persona me ide biznesi me sipërmarrës të suksesshëm. Aneida prej disa vitesh organizon Startup Weekend Tirana, event që ndihmon të rinjtë të vënë në jetë idetë e tyre të biznesit. Me shumë kuriozitet e pyeta Aneidën për këshillën e saj për vajzat e reja që duan t’ia nisin sot biznesit sikurse ka bërë ajo pas përfundimit të studimeve të saj.
“Vetëbesimi është shumë i rëndësishëm për të arritur sukses. Shumë persona do t’iu thonë që ideja juaj nuk ka për të funksionuar, por mbani në mendje faktin që nuk funksionon për ta dhe jo për ju.”,-më thotë ajo teksa ma merr mendja me situate të tilla do të duhet të jetë përplasur shpesh edhe ajo vetë. Aneida vazhdon: “Nëse do të nisni një biznes, çdo gjë është më e lehtë nëse kërkoni ndihmë, delegoni dhe mësoni të menaxhoni kohën tuaj. Puna e palodhur shpërblehet, por mos harroni të kujdeseni për veten dhe të shijoni jetën.”
E kush nuk do ta donte në këtë rast një shefe si Aneida?

2.“Mos ki turp të pyesësh e të kërkosh ndihmë nga njerëz me më shumë eksperiencë se ti.” – Antea Goci

Antean e ndiqja prej kohësh në Instagram që po merrej me një projekt plot ngjyra e me shumë dashuri që siç duket quhet “Art Hostel & Apartments”. M’u duk kaq i bukur dhe ju e dini nga artikujt e mëparshëm, unë kam parë shumë hostele nëpër botë. M’u bë kaq shumë qejfi kur mësova që një gjë e tillë ish krijuar në Tiranë nga një vajzë e re, ndaj doja me patjetër ta kisha këtë iniciativë si për t’iu treguar që vajzat në Shqipëri edhe në këtë sektor, mund t’ia dalin. Antea më tregoi për iniciativën e saj dhe vëllait të saj: “ART Hostel & Apartments lindi prej dëshirës për t’i dhënë një qëllim të ri shtëpisë sonë të vjetër, e cila qëndronte vakante prej 5 vjetësh dhe pasionit për mikpritjen si industri.” Kjo është padyshim një sipërmarrje e madhe mbi supet e një vajze të re e megjithatë kur e pyes Antean për vështirësitë që ka hasur në hapat e parë ajo shprehet se, për të është thelbësore në mbarëvajtjen dhe suksesin e një biznesi të ri mbështetja si profesionale, ashtu edhe shpirtërore. ”Mos ki turp të pyesësh e të kërkosh ndihmë nga njerëz me më shumë eksperiencë se ti. Fillimet janë të vështira e konfuze, prandaj çdo këshille do të të vlejë shumë.” Kurioze, por edhe e intriguar, pyes akoma Antean për këshillën që do t’i jepte vajzave të moshës sonë: “Nëse dëshiron të nisësh një biznes, por po pret kohën e duhur, fillo TANI! Më beso, gjërat nuk do të jenë asnjëherë perfekte siç do ti, kështu që thuaje me zë të lartë dhe hidhe hapin e parë. Çdo gjë tjetër, do ta mësosh rrugës.”

  1. Nëse doni të bëni diçka, bëjeni SOT!”Arjena Duci

Accio” kishte 2-3 vjet që sillej nëpër mendimet e Arjenës, por gjithmonë ishte në pritje të atij “momentit të duhur” që nuk u duk kurrë. Kështu që vendosi ta krijonte sipërmarrjen e saj të veshjeve të cilave i përkushtohet për të qenë unike në tregun e stërmbushur të veshjeve. Më magjepsi historia e saj sesi vendosi ta hapë me lekë borxh nga i ati, por që ia ktheu të gjitha një për një, sepse donte që këtë herë të bënte diçka që i përkiste vetëm asaj me shumë frikë, por edhe me shumë dashuri dhe pozitivitet. “Edhe nëse do të dështonte, s’ka problem. Të paktën do të mësoja diçka dhe sigurisht që nuk do të jetoja me pikëpyetje. Kam bredhur gjithë Stambollin për të gjetur vendet e duhura nga do t’i merrja produktet, kam ngritur thasë me rroba nga një lagje në një tjetër, kam çuar çdo porosi e vetme në çdo cep të Tiranës, por kam që në tetor që e kam zemrën plot. E kam zemrën plot dhe e adhuroj kur i kam këmbët e lodhura në darkë sepse jam duke punuar që këtë vogëlushen “Accio”-n, ta kthej në një zonjushë të suksesshme. Pra vajza, nëse doni të bëni diçka, bëjeni SOT! Momenti i duhur nuk vjen kurrë, por me punë, dashuri dhe disa njerëz të mirë në krah, do ia dilni!” Teksa shoh pasionin e madh me të cilin Arjena tregon, bindem se koha dhe pasioni janë padyshim 2 aleatë që duhen në këtë udhëtim!

  1. “Është e rëndësishme që të shoqërohesh me njerëz të cilët mendojnë në të njëjtën frekuencë me ty.” -Megi Laçka
LEXO DHE :  Policia mbyll 35 lokale të lojërave të fatit në Kosovë

Megi është një nga vajzat më punëtore që njoh, nga ato raste ku vërtet çdo gjë e ka nisur nga zero e gjithnjë shoh që avancon në punën e saj për ta rritur dita-ditës. Megi e përshkruan kështu iniciativën e saj për krijimin e linjës së saj: “Megi’s Green Code nisi para dy vjetësh fillimisht si një hapësirë online me disa këshilla të thjeshta në përfundim të studimeve të mia për kujdesin e përgjithshëm dhe një jetesë më të shëndetshme. Pas kësaj fillova të reklamoja produktet e mia, kuptohet ishin më të thjeshta në nisje, nuk ishin branduar ende. Pasi kreva një studim tregu, e nisa linjën fillimisht me kremin për psorias duke u nisur dhe nga një problematikë e imja personale, më pas me kremin me mukus kërmilli që ishte e re në tregun shqiptar dhe me kremrat organike për mbrojtjen dhe kujdesin e kafshëve shtëpiake që sërish ishte diçka e re në tregun tonë.” Vazhdimisht e shoh Megin të marrë pjesë në evente si e ftuar për të folur për startup-et dhe di që këshilla e saj do të jetë me vlerë për vajzat e reja, ndaj doja me patjetër t’i merrja mendimin e saj. Ajo më tha fillimisht se, sipërmarrja në Shqipëri është sa e vështirë dhe e thjeshtë duke qenë se, përballja me njerëz skeptikë është po aq e shpeshtë sa me ata motivues. “Kur je sipërmarrëse e re, ke shumë nevojë të udhëhiqesh nga shembuj të suksesshëm sepse kështu rritet dhe vetëbesimi se ti do t’ia dalësh.” Nga këshillat që Megi ndau me mua, më ngeli në mendje diçka: “Këshilla ime do të ishte të mos monetarizohet gjithçka sepse një startup nis me pak të ardhura por me një dëshirë të madhe dhe fitimi nuk do të vijë që ditën e parë. Më kryesorja është të mos dorëzohesh asnjëherë para këtyre pengesave. Është e rëndësishme që të shoqërohesh me persona që mendojnë si ty, që kanë shpirtin e sipërmarrësit për të mos humbur drejtimin tënd.” Sapo dëgjova këtë, nisa ta besoj vërtetë kur thonë se jemi mesatarja e 5 njerëzve me të cilët qëndrojmë.

  1. “Mos prisni deri kur të gjeni një punë të paguar për të përvetësuar njohuri praktike!” – Sonila Marku

Sonila mund të ishte secila prej jush, vajza! Teksa ndiqte studimet për Administrim Biznesi në vit të fundit, pyeste veten disi e stresuar nëse duhet të ndiqte studimet Master apo të fitonte një eksperiencë praktike. E siç duket, Agrimona ishte zgjidhja e përkryer për të dhe familjen e saj që pas një studim të tregut, menduan që një biznes social që promovonte veç të tjerat vlerat e vendit tonë, ishte më pranë pasioneve të saj. Agrimona ka për qëllim të lehtësojë eksesin në treg për prodhuesit e vegjël si dhe të promovojë e rrisë njohjen dhe vlerësimin e produkteve cilësore vendase me vlera tradicionale lokale. Si rezultat, Agrimona sot është e fokusuar vetëm te produktet cilësore shqiptare dhe sjell te konsumatorët një gamë të gjerë produktesh të tilla, të grumbulluara nga prodhues lokalë nga të katër anët e vendit.

Kur e pyes Sonilën për këshillën që do t’i jepte vajzave, ajo e nis duke thënë se, për këtë do të bazohet vetëm në eksperiencën e saj (qoftë pozitive, por dhe negative), jo nga çfarë ka dëgjuar kur ia nisi. Më bëri përshtypje kur më foli për eksperiencat vullnetare, ato të papaguara me të cilat ia ka nisur që kur ish 15 vjeçe dhe për të kanë qenë si një universitet i dytë: “Ndërmerrni sa më shumë dhe sa më herët të mundeni në eksperienca pune që ju japin aftësi praktike. Nuk po them të braktisni shkollën, por mos u fokusoni vetëm te studimet teorike. Mos prisni deri kur të gjeni një punë të paguar. Nëse jeni me fat të gjeni një të tillë pranojeni, por s’mund të presim që dikush të na paguajë për të arritur ato që duam.”

Në fjalët e Sonilës, ti kupton atë kthimin e steriotipeve për të rinjtë kur flet thjesht dhe ka përvetësuar kaq shumë mësime nga sipërmarrja e saj. “Edhe në punët më të thjeshta në dukje, edhe nga shefat më të vështirë të mundshëm mësohet shumë. Çdo ëndërr do të ngelet në sirtar ose do të jetë vështirësisht e realizueshme nëse nuk kemi guxim të ndërmarrim risk, të fillojmë me hapa të vegjël, të testojmë, të mësojmë nga gabimet dhe ta rifillojmë aq herë sa të jetë e nevojshme, deri kur t’ia arrijmë.” e përmbyll bisedën tonë Sonila për të më bindur edhe nje herë që duhen më shumë vajza që marrin iniciativa në një shoqëri dhe për këtë të gjithë duhet të jemi feministë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.